Shfaqjet
Nëse pavijonet përbëjnë pjesën "e ngurtë", "të palëvizshme" të EKSPO-s (me thonjëzat duam të themi se në të vërtetë e kemi fjalën vetëm për to si ndërtesa, ndonëse edhe në këtë rast nuk jemi kokë e këmbë të saktë, sepse ka edhe pavijone që mirëfilli lëvizin, siç është rasti i drurit që përbën pjesën më të madhe të pavijonit të Hungarisë, ose edhe pavijone si ai japonez që, po ashtu në një kuptim shumë afër të drejtpërdrejtit, marrin frymë, si të jenë qenie të gjalla), shfaqjet kulturore dhe artistike janë ato që shtojnë atmosferën, gjallërinë, ngjyrat; ato që vënë në qendër njeriun dhe kulturën e tij shpirtërore dhe që nxitin shkëmbimet kulturore ndërmjet vendeve të ndryshme. Gjatë 184 ditëve që do të zgjatë EKSPO-ja, do të jepen 20 000 shfaqje kulturore dhe artistike, të ndara në dy grupe: ato të organizatorëve të Ekspozitës Botërore të Shangait dhe ato të organizuara nga vetë pjesëmarrësit. Ato përfshijnë ceremonitë e paradat, shfaqjet e ndryshme artistike në skenë e shfaqjet tematike, shfaqjet me rastin e ditëve të pavijoneve të vendeve e organizatave të ndryshme a të javëve të provincave e të rajoneve autonome të Kinës, veprimtaritë e përditshme etj. Një aradhë e tërë kërcimtarësh, këngëtarësh e instrumentistësh, akrobatësh e artistësh të tjerë u dhurojnë kënaqësi estetike shikuesve me talentin dhe mjeshtërinë e tyre. Arti popullor është kryefjala e këtyre shfaqjeve, por natyrshëm nuk mungon as arti i kultivuar, ku spikat muzika klasike, me orkestra si ajo e Filadelfias ose Orkestra Simfonike e Londrës, dhe me yje të tilla si tenori spanjoll me famë botërore Plaçido Domingo, që nderojnë me praninë e tyre Ekspozitën Botërore të Shangait. Vlerësohet se shfaqjet e ndryshme shihen nga 200 000 – 220 000 veta në ditë.
Të gjitha shfaqjet janë dhënë, po jepen a do të jepen në 32 vende brenda zonës së Ekspozitës, shumica në mjedis të hapur, si sheshet e Azisë, Afrikës, Europës, Amerikës, Oqeanisë, Parku Zbavitës, tre rrugët për parada, apo edhe vetë ujërat e lumit Huangpu. Ndërsa Qendra e Shfaqjeve, ku zhvillohen shumica e veprimtarive kulturore-artistike, është një ndër pesë ndërtesat që ekspozita do t'ia lërë trashëgim Shangait. Me 126 000 mijë metrat katrorë dhe gjashtë katet e saj, dy prej të cilave nëntokësore, kjo qendër përbën skenën më të madhe të shfaqjeve në Kinë.
Kështu pra, prej gjithçkaje sa përmenda për sipër, por edhe prej shumë gjërave të tjera që lashë pa përmendur, jam i bindur se vizita në Ekspozitën Botërore të Shangait është një përvojë e paharruar, ndër më të bukurat në jetën e një njeriu.
LINKS:
Shfaqja kushtohet për ditën e Pavilionit të Shqipërisë
Nga eksperienca ime në Shanghai: Erion Domi
Biznesmeni Eduart Molla për Kinën dhe Ekspozitën e Shangait
Dita e Pavijonit të Shqipërisë, e para në Expo
E gjithë bota në një qytet
Një udhëtim i paharrueshëm – EXPO 2010
"Rritu me ne" – Pavijoni i Shqipërisë në Ekspon e Shangait
"Ekspozita, marketingu më i mirë për Shqipërinë"
Ekspo ma bën jetën më të bukur