Pavijonet
"Kripa" e gjithë ekspozitës janë pavijonet e vendeve e rajoneve dhe të organizatave të ndryshme: ato u ngjajnë njerëzve që shkojnë në një festë a gëzim, të cilët mundohen të vishen me rrobat me të bukura e të bëjnë përshtypje sa më të mirë. Çdo vend, duke filluar nga gjigantë të tillë si Kina, ShBA-ja, Rusia a vendet kryesore të BE-së, e deri te vendet e vogla ishullore të Oqeanisë me disa qindra mijë, e ndonjëherë edhe me vetëm dhjetëra mijë, banorë, ose vendet që vuajnë nga luftërat e konfliktet civile, kanë ardhur në këtë ekspozitë për të paraqitur më të mirën e tyre, për t'u njohur nga të tjerët e për të njohur të tjerët. Askush nuk dëshiron të mungojë në këtë festë të madhe botërore, për të shpërfaqur aty pasuritë e veta kulturore e natyrore, burimet dhe potencialet e zhvillimit.
Shumë nga pavijonet kanë një arkitekturë të veçantë, si p. sh. pavijoni i Britanisë së Madhe, pavijoni i Kinës, ai i Kanadasë, i Norvegjisë etj. Por më e rëndësishmja është brendia e këtyre pavijoneve, ku ndërthuret shpërfaqja e arritjeve teknologjike me atë të trashëgimive historike e kulturore. Kështu që në EKSPO gjen që nga "Sirenën e vogël" te pavijoni i Danimarkës, kryeveprat e artit në pavijonin francez, reliktet e Budës në pavijonin e Nepalit, fosilet e zogut e të lules së parë në botë në pavijonin e Kinës e deri në pajisjen që i kthen ujërat e zeza në ujë të pijshëm dhe robotin që i bie violinës në pavijonin e Japonisë, sistemin e përparuar të informacionit që lidh individët, shtëpitë e bizneset me njëri-tjetrin dhe me shërbimet që ofron qyteti i tyre në pavijonin e gjigantit amerikan të teknologjisë së informacionit "Cisco", apo edhe shtëpitë pa harxhim energjie në pavijonin e firmës arkitekturore ZED.
Duhet thënë se ndër gjërat që të bën më shumë përshtypje në ekspozitë, është entuziazmi i madh i vizitorëve për të njohur kulturat e ndryshme. Ata bëjnë shpesh fotografi me punonjësit e muzeve, të veshur zakonisht me kostumet popullore të vendeve të tyre. Edhe të rinjtë vullnetarë në pavijonin e Shqipërisë, kryesisht studentë shqiptarë në Kinë të veshur në mënyrë tradicionale, janë të zënë çdo ditë jo vetëm me punët në pavijon, por edhe me pozimin për a bashkë me vizitorët, të cilët i pëlqejnë shumë kostumet popullore shqiptare dhe nuk humbin rastin të kenë një kujtim me to.
Një tjetër gjë që njerëzit e bëjnë me shumë pasion teksa vizitojnë pavijonet e ndryshme është vendosja e vulës së secilit prej këtyre pavijoneve në një pasaportë të posaçme të EKSPO-s, si të duan ta kenë si një dëshmi krenarie që ata kanë qenë pjesëmarrës në një ngjarje të tillë madhështore.