357 zyrtarë të përfshirë në raste të shitjes së paligjshme të vaksinave të ruajtura në mënyrë të papërshtatshme do të përballen me ndëshkime, duke përfshirë humbjen e vendit të punës ose uljen në post.
Vendimi u mor në një mbledhje të Këshillit të Shtetit të Kinës, të mbajtur të mërkurën.
Deri më tani 192 çështje penale janë hapur në mbarë vendin dhe 202 veta janë arrestuar lidhur me skandalin.
Ndërkohë, gjatë mbledhjes u mor edhe vendimi për të ndryshuar një rregullore për menaxhimin e qarkullimit të vaksinave, duke i trajtuar vaksinat e kategorisë B në të njëjtën mënyrë si vaksinat e kategorisë A.
Gjithashtu do të krijohet një sistem për të ndjekur të gjithë procesin, nga prodhimi, te magazinimi, transportimi dhe përdorimi, dhe institutet apo spitalet duhet të kërkojnë të dhënat e temperaturës të magazinimit pas marrjes së vaksinës.
Gjobat për shitjen e paligjshme ose ruajtjen dhe transportimin e papërshtatshëm të vaksinave do të rriten, ndërkohë që zyrtarëve të qeverisë do t'u kërkohet të japin dorëheqjen nga puna nëse nuk kryejnë siç duhet detyrat e tyre mbikëqyrëse. (Artan Goga)