Nuk është hera e parë që vizitoj Shanghai, por këtë herë kam një ndjesi të vecantë, këtë herë do të vizitoj Ekspozitën Botërore.
Në të marrin pjesë gati gjithë shtetet e botës të cilat shfaqin aty historinë, vlerat, produktet e tyre. Tema për këtë Ekspozitë është "Qytet më i mirë, jetë më e mirë" Cdo shtet sjell eksperiencat e veta, dhe përshkruan projektet që ka realizuar ose planifikoj të realizoj.
Herën e parë që hyj në Ekspo ndihem disi i emocionuar, vende nga të katër anët të mbledhura në Shanghai, nje rast shumë i mirë për të kuptuar më shumë nga bota që na rrethon.
Ditën e parë e kaloj duke vizituar pavionet afrikane. Afrika është vërtet një kontinent i vecante, ndoshta nuk është e pasur, por aty gjenden të paktat vende ku natyra nuk është shfrytëzuar dhe keqtrajtuar, njerëzit, ndoshta me më pak mundësi se në vende të tjera, kanë një dëshirë të madhe për jetën. Vërtet e bukur Afrika, shpresoj të kem rastin ta vizitoj një ditë.
Ditën e dytë filloj të vizitoj pavionet europiane, këtu fillon të jetë pak problem pasi njerëzit janë shumë dhe disa herë duhen bërë rradhë të gjata. Arkitektura e pavioneve europiane është vërtet tërheqese, natën drita të pafundme janë një spektakel i rrallë. Të vizitosh pavionet europiane është disi si të vizitosh shtëpine tënde, dhe të shohesh dhe një herë gjëra që ndoshta i ke parë më përpara. Por këtu ka dicka ndryshe, brenda ditës me duket sikur jam në mengjes në Romë, pas pak në Paris, për drekë në Madrid, më vonë në Londër, dhe për darkë në Berlin. Eshtë një ndjesi vërtet e bukur.