Për Shqipërinë Ekspozita Botërore e Shangait shënon pjesëmarrjen e parë në një ngjarje të tillë madhështore dhe është një rastësi e bukur që kjo ndodh pikërisht kur ekspozita organizohet në një vend mik tradicional të saj si Kina, për të cilën gjithashtu është hera e parë që mirëpret një ekspozitë botërore. Vargut të rastësive të këndshme të "të parave" u shtohet edhe fakti që Dita e Pavijonit të Shqipërisë, e organizuar më 5 maj, ishte dita e parë e një pavijoni kombëtar në EXPO.
Ndërsa për publikun pavijoni i Shqipërisë, që ndodhet në ndërtesën e dytë të përbashkët të Evropës, u hap zyrtarisht që më 3 maj në mëngjes, duke tërhequr vëmendje të madhe. Tema e këtij pavijoni është "Rritu me ne" dhe qëllimi i tij është njohja e vizitorëve me një Shqipëri në zhvillim nga ana historike, kulturore, turistike etj.
Muri i jashtëm i pavijonit shqiptar është në ngjyrën e flamurit kombëtar, ngjyrën e kuqe. Mbi të, me ngjyrë të bardhë, është shkruar në gjuhën angleze "Albania, grow with us" ("Shqipëria, rritu me ne").
Pavijoni ka dy kate dhe ndahet në disa pjesë. Me të hyrë brenda, të bie në sy imitimi i një kështjelle, që përfaqëson kulturën e vjetër dhe qëndresën e shqiptarëve. Brenda kështjellës ndodhet një fotografi e madhe e Butrintit të lashtë, ndërsa në frëngjijtë e saj ka pamje nga vende të tjera me vlera arkeologjike, historike, etnografike e arkitekturore, si Apolonia, Berati, Gjirokastra, Kruja etj.