Foto:VCG

Foto:VCG

Për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe luhatjes së çmimeve në tregun ndërkombëtar, ekonomia e vendeve të ndryshme të botës përballon sfida të mëdha këtë vit. Kina, si ekonomia e 2-të më e madhe e botës, ka marrë masa të shumëfishta për stabilizimin e investimeve, furnizimit dhe konsumit, duke shënuar rritje me mbi 10 % në eksportin e mallrave në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Kjo ka tejkaluar parashikimet e tregut dhe ka treguar elasticitetin e fuqishëm të tregtisë së jashtme të Kinës.

Të dhënat doganore tregojnë që në gjashtëmujorin e parë të sivjetshëm, vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit të Kinës arriti në 19.8 trilionë juanë, 9.4 % më shumë se në gjashtë muajt e parë të vitit 2021. Ndër to, eksporti shënoi vlerën 11.14 trilionë juanë, ndërsa importi 8.66 trilionë juanë, përkatësisht 13.2 % dhe 4.8 % më shumë se një vit më parë. Këto shifra tregojnë që tregtia e jashtme kineze, veçanërisht eksporti i mallrave, ka luajtur rol të rëndësishëm në stabilizimin e rritjes ekonomike të Kinës.


Foto:VCG

Foto:VCG

Elasticitet mbi parashikimet

Tani e gjithë bota ka pësuar goditje të rëndë nga pandemia dhe çmimet e mallrave në tregun ndërkombëtar kanë pasur luhatje të madhe. Në fillim të vitit, për shkak të shpërthimit pandemik në disa krahina, tregtia e jashtme e Kinës ka pasur vështirësi, veçanërisht eksporti. Sipas parashikimeve, rritja ekonomike e Kinës në gjashtëmujorin e parë nuk do të ishte mjaft e mirë, dhe madje do të kishte rënie. Mirëpo Kina mori në kohë masa përballuese, duke pasur rezultate pozitive. Në maj e qershor, pas masave stabilizuese nga qeveria qendrore dhe organet e pushtetit vendor, është ruajtur prirja e rritjes së tregtisë dhe struktura tregtare është në përmirësim.

Kjo tregon elasticitetin e tregtisë së jashtme kineze. Studiuesi në Departamentin e ekonomisë ndërkombëtare pranë Institutit të Makroekonomisë të Kinës, Yang Changyong, u shpreh që shpallja në kohë e masave mbështetëse dhe zbatimi efektiv i tyre kanë luajtur rol të rëndësishëm për mbrojtjen e elasticitetit të tregtisë së jashtme kineze. Sipas tij, Kina ka epërsi të dukshme me sistemin e vet të plotë industrial. Edhe pse disa krahina kanë pësuar goditje nga epidemia dhe zinxhiri industrial funksionoi me vështirësi, Kina ka një zinxhir të plotë industrial, që është garanci për elasticitet të mjaftueshëm. Kështu që tregtia e jashtme kineze në përgjithësi nuk pati goditje thelbësore në gjashtëmujorin e parë.

Kryeekonomisti i bankës “Minsheng” Wen Bin analizon që, për shkak të pandemisë, porositë e eksportit kishin mbetur të paplotësuara, pasi fabrikat ndaluan prodhimin gjatë shpërthimit epidemik. Mirëpo në maj dhe qershor, kur rifilloi prodhimi në Deltën e Lumit Jance, tregtia e jashtme, veçanërisht eksporti, u mëkëmb shpejt, duke nxitur rritjen e dukshme të tregtisë së mbarë vendit.

Krahas kësaj, edhe kursi i këmbimit i dollarit amerikan me juanin kinez në këtë qershor u ruajt në rreth 6.7, ndërsa në qershorin e kaluar ishte 6.4. Për shkak të këtij faktori, rritja e eksportit u përshpejtua me 4-5 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, çmimet e larta në tregun ndërkombëtar kanë ofruar një mbështetje të dukshme për vëllimin e eksportit të Kinës. “Krahas faktorëve teknikë, si kursi i këmbimit dhe çmimet në tregun ndërkombëtar, faktori kyç që mbështet rritjen e eksportit është rifillimi i prodhimit dhe mëkëmbja e furnizimit në portet kryesore,” analizon Wen Bin.


Foto:VCG

Foto:VCG

Po grumbullohen elementet pozitive

Ndër krahinat e vendit, Delta e Lumit Jance ka pasur mëkëmbje të shpejtë, duke stabilizuar bazën e tregtisë së jashtme të Kinës. Sipas statistikave doganore, në gjashtëmujorin e parë, tre provinca dhe një qytet i varur drejtpërdrejt nga qendra në Deltën e Lumit Jance (Jiangsu, Zhejiang, Anhui dhe Shangai) kanë shënuar një vlerë import-eksporti 7.14 trilionë juanë, 9.3 % më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndër to, shifra e qershorit ishte 1.39 trilionë juanë, 14.9 % më shumë se në të njëjtin muaj të vitit 2021, duke kontribuuar për mbi 40 % të rritjes së mbarë vendit.

Përveç motorëve kryesorë të rritjes së tregtisë së jashtme, edhe ndërmarrjet e tregtisë së jashtme po tregojnë gjallëri më të fuqishme. Në gjashtëmujorin e parë, numri i ndërmarrjeve që merren me tregtinë e jashtme u rrit në 506 mijë, 5.5 % më shumë se në janar-qershorin e vitit 2021. Ndër to, 425 mijë ndërmarrje ishin private, 6.9 % më shumë se në gjashtë muajt e parë të vjetshëm. “Në këtë periudhë, ndërmarrjet private kanë ruajtur elasticitetin e fortë dhe janë bërë një forcë e madhe për zhvillimin e tregtisë kineze,” theksoi Yang Changyong.

Krahas rifillimit të prodhimit e furnizimit dhe rritjes së gjallërisë së ndërmarrjeve, po grumbullohen edhe elemente të tjera pozitive në fushën e tregtisë. Marrëveshja e Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) ka gjashtë muaj që ka hyrë në fuqi. Të dhënat doganore tregojnë që në gjashtëmujorin e parë, import-eksporti i Kinës me partnerët tregtarë të RCEP-it shënoi rritje me 5.6 %. Përveç kësaj, numri i marrëveshjeve të tregtisë së lirë ndërmjet Kinës dhe vendeve të tjera është shtuar në 19, nga 10 që ishte dhjetë vjet më parë. Ndërkohë, vëllimi i tregtisë ndërmjet Kinës dhe partnerëve të vet të tregtisë së lirë zë 35 % të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme kineze.

Foto:VCG

Foto:VCG

“Këto marrëveshje të tregtisë të lirë kanë luajtur rol të dukshëm në uljen e taksave e lehtësimin e tregtisë dhe do të luajnë rol shumë të rëndësishëm nxitës për zhvillimin e tregtisë,” u shpreh zv.ministri i Tregtisë i Kinës dhe përfaqësuesi i Kinës në bisedimet tregtare, Wang Shouwen.

Zv.drejtori i Departamentit të Studimeve të Tregtisë Ndërkombëtare të Institutit të Ekonomisë dhe Politikës Botërore pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës, Su Qingyi, u shpreh që tani ShBA-ja po përpiqet të kufizojë inflacionin e lartë dhe ka nevojë për importin e mallrave kineze. Nëse ShBA-ja do të hiqte tarifat shtesë ndaj importeve kineze, kjo do të ishte një masë pozitive për tregtinë e jashtme të Kinës.

“Ndërsa Fed-i merr masa të shtrëngimit monetar për të përballuar inflacionin, ekonomia amerikane ka mundësi të ketë një ‘ulje të fortë” dhe një rënie të vrullshme,” analizon Yang Changyong, duke theksuar që, nëse ShBA-ja shtrëngon masat monetare, kursi i këmbimit të dollarit do të rritet dhe kjo është në të mirë të uljes së kostos së eksportit të mallrave kineze.

Zëdhënësja e Ministrisë kineze të Tregtisë Shu Yuting u shpreh që, në të ardhmen, Kina do të vazhdojë të ndihmojë ndërmarrjet për uljen e kostos dhe për forcimin e aftësisë së marrjes së porosive dhe zbatimit të kontratave. Krahas kësaj, Kina do të mbështetë ndërmarrjet të marrin pjesë në panaire dhe ekspozita, me synim që të konsolidohen tregu e klientët e tanishëm dhe të zgjerohet aktivisht tregu i ri. (Jiang Lei)


Ekonomia kineze në gjashtëmujorin e parë 2022:

Kina, rezultate pozitive në stabilizimin e çmimeve dhe konsumit

Kinë, shtohet roli i investimeve në stabilizimin e rritjes ekonomike