Bënja është një destinacion turistik në qytetin e Përmetit, i cili dallohet për vlerat kurative universale. Ky destinacion në rajonin jugor ka rritur interesin për dy arsye: E para për praninë e burimeve termale dhe e dyta për peizazhin që ofron kanioni i Langaricës dhe ura e saj e vjetër.
Kjo eksperiencë është interesante për tu provuar në të gjitha stinët.
Si të shkoni?
Bënjat e Përmetit ndodhen rreth 195 kilometra larg Tiranës, ose rreth 13 kilometra nga qendra e Përmetit. Rruga drejt Bënjave është e asfaltuar dhe e kalueshme nga të gjitha mjetet motorike.
Cfarë të bëni?
Ka një arsye kryesore pse të shkoni në Bënjë. Janë banjat termike. Në total gjenden 6 burime në rrëzë të shkëmbinjve masive, në të dy anët e lumit Langaricë.
Të dyja brigjet në këtë kanion dhe pellgjet e formuara me ujëra sulfurore janë të mbipopulluara nga pushuesit. Çdo fillim sezoni përreth burimeve termale vendasit ngrenë mure me gurë dhe baltë “shëruese” për të krijuar pellgje, ku gjatë stinës së verës zhyten njerëzit, që kërkojnë të gjejnë shërim për sëmundje të ndryshme. Ujërat me bazë sulfurore kanë efekte shumë të larta kuruese nga të cilat 4 burime përdoren për sëmundje kronike të reumatizmës, një tjetër për sëmundjet e stomakut, dhe i fundit për sëmundjen e lëkurës. Këto burime për shkak të substancave minerale që përmbajnë, u japin atyre ngjyrë, shije dhe veti terapeutike.
Temperatura e ujrave shkon nga 26 deri në 32 gradë Celsius. Në dimër, kurat janë më të efektshme veçse duhet kujdes që, sapo të dilni nga ujërat e ngrohta termale të thaheni dhe të visheni ngrohtë. Prurjet e ujit pothuaj se janë standard dimër e verë.
Në ditët e sotme ka gjithnjë e më shumë kureshtarë dhe eksplorues të cilët vijnë për të vizituar këtë destinacion, për të gjetur këtu një oaz qetësie larg zhurmave të metropolit, për të përfituar nga ujërat termale, si dhe për të zhvilluar ecje mahnitëse në natyrë.
Peizazhi natyror i këtij lumi, është nga më piktoreskët në të gjithë Shqipërinë. Peizazhi është vërtet mahnitës: shpella, kanione, gjelbërim, pemë dhe shkurre aromatike.
Gjithashtu mjaft tërheqëse janë ecjet në rrjedhën e lumit Vjosa, ku mund të zhvillohet rafting, ose të bëni hiking në malin e Nëmëçkës, 2485 metra mbi nivelin e detit, për të cilën banorët krenohen se është maja e para në Shqipëri, e cila përkëdhelet nga rreze e para të diellit në mëngjes.
Por vec ujërave termike, ka edhe shumë arsye të tjera për tiu drejtuar Bënjës. Bënja ka një pozitë të privilegjuar, pasi është shpallur një qendër historike që në vitin 2016.
Këtu do të gjeni “Urën e Katiut”, një monument i rrallë kulture, një ure tipike me hark punuar me gurë, një urë e vjetër, që ende u shërben banorëve perreth. Gjithashtu në fshat do të gjeni një kishë interesante, ikonostasi i së cilës është punuar në vitin 1904. Për ata që duan pak më shumë aktivitet, rreth gjysëm ore mbi Bënjë (me kembë, se rrugë makinash nuk ka) mund të ngjiteni në një fshat që është i braktisur prej shumë vitesh, i quajtur Novoselë. Përmetarët kanë një dashuri të vecante për këtë “muze natyror“ ku vendasit organizojnë festa familjare në burimet e Kallostricës, gjate muajve të verës.
Si të kaloni një ditë
Për t’ju ardhur në ndihmë, do të ju tregojmë konkretisht se si mund të realizoni një tur në këtë destinacion. Me të arritur në banjat termale të Bënjës, mund të filloni eksplorimin e Kanionit të Lengaricës. Mund të bëni ecje përgjatë tij, nëpër shtrat, nëpër brigje, nëpër ujë kudnër rrymës.
Gjatë ecjes do të mahniteni nga pamjet spektakolare të faqeve të kanionit, të cilat ngrihen vertikalisht me lartësi rreth 30-50m mbi shtratin e tij. Herë - herë do të kaloni nëpër bazenët me ujë, të cilat mund t’i kapërceni duke notuar. E gjithë kjo ecje, vajtje ardhje zgjat rreth 5-6 orë. Me shpirtin sportiv që ju karakterizon këtu mund ta hani drekën në formë pikniku, prandaj duhet të merrni masa që ta keni ushqimin me vete.
Mund të bëni banjo termale, por nuk mund të qëndroni të zhytur më shumë se 20 minuta për shkak të sasisë së squfurit.
Gjithashtu Rafting në Lumin Vjosa, është një eksperiencë që nuk mund ta lini pas dore. Zakonisht lundrimi zgjat nga dy orë deri në tre orë e gjysmë. Periudha në të cilën mund të bëhet rafting është mars-nëntori. Çdo person që do të bëjë rafting duhet të veshë: Rroba banjo, sandale apo atlete, veshje sportive. Këshillohet marrja e peshqirit me vete, rroba për t'u ndërruar pasi gjatë udhëtimit me gomone mund të lageni.
Agjencia që ofron shëtitjet do t’ju pajisë me veshje të posaçshme, por nuk është e detyrueshme. Të detyruesheme janë vetëm jeleku dhe skafandra. Nëse do të niseni enkas për rafting, paketa njëditore përfshin: Rafting, drekën e paketuar me vete, transporti deri ne piken e nisjes së lundrimit-Përmet. Çmimi - 45 €/person.
Paketa 2 ditore përfshin: Rafting, drekën e paketuar me vete, transportin deri tek pika e nisjes per lundrim, akomodim në hotel, eksplorimi i kanioneve të Langaricës dhe banjove termale të Bënjës, darka tradicionale, mëngjesi. Çmimi 75 €/person. Për fëmijët deri në 12 vjeç - 50% zbritje.
Cfarë të hani
E rëndësishme është që kudo që të vendosini për të ngrënë, do të hani ushqime të mrekullueshme, totalisht bio. Në mëngejs do të hani petulla me recelëra nga më të ndryshmet, ndërsa drekat dhe darkat janë krejtësisht tradicionale: me mishra, sallatë radhiqe, supë me hithra, salcë në çakull, etj. Rakia dhe vera e shtëpisë janë gjithmonë të pranishme në tryezat tuaja.
Për të fjetur mund të shfrytëzoni një nga bujtinat e shumta të cilat mund tí gjeni përmes siteve të specializuara në internet. Ndërkohë që fare mirë mirë mund tí drejtoheni agjencive turistike të cilat shume thjesht mund të organizojnë turin për ju.
Neritana Kraja