Në 10 vjetët e fundit, infrastruktura e internetit në fshatrat e largëta është përhapur shpejt dhe çdo fshat kinez është i lidhur me internet me bandë të gjerë.
Silian në kontenë Bobai të Rajonit Autonom Guangxi-Zhuang të Kinës, që dikur ishte një fshat me varfëri ekstreme, kishte vetëm katër stacione bazë të telefonisë së lëvizshme dhe vetëm 35 % e familjeve kishin internet me bandë të gjerë.
Qysh nga viti 2017, këtu u ndërtuan mesatarisht në vit katër stacione bazë të telefonisë së lëvizshme. Në vitin 2020, në fshatin Silian u realizua mbulimi i plotë me sinjal 4G, ndërsa në vitin 2022, edhe sinjali 5G hyri në këtë fshat.
Ndryshimi i fshatit Silian tregon zhvillimin e jashtëzakonshëm të infrastrukturës të telefonisë së lëvizshme në 10 vjetët e fundit.
Sinjali i internetit është dërguar në malet e larta, ishujt e largët, shkretëtira dhe pyje primitive.
Në dekadën e fundit u zgjidh problemi i vështirësisë së komunikimit në zonat e varfra në Kinë.
Në provincën Sichuan, salca djegëse e fshatit Shaojizhui është shitur në tregun amerikan dhe atë evropian. Vlera e mallrave të zonave fshatare në mbarë Kinën të shitura në internet u shtua nga 353 miliardë juanë në vitin 2015 në 2.05 trilionë juanë në vitin 2021.
Në provincën Yunnan, nxënësit e zonës së lumit Dulongjiang mund të marrin mësim njësoj si nxënësit e Pekinit. Tani në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme këtu është realizuar lidhja 100 % me internet me bandë të gjerë.
Në 90 % të konteve në mbarë Kinën është realizuar telemjekësia. Mjekët nga Pekini i bënë kirurgji me lazer nëpërmjet internetit 5G një banori të qytetit Shuke të Xinjiang-ut. (Xu Guang)