Foto RTSH

Foto RTSH

Luiza Gega është pritur me një ceremoni nderimi pas shpalljes së saj kampione e Evropës në garën 3000 metra me pengesa. Ajo është vlerësuar me titullin “Kordoni i madh me Yllin për Mirënjohje Publike”, që iu dorëzua nga kryeministri Edi Rama pas një fjalimi mirënjohjeje dhe vlerësimi për të gjitha sakrificat e Gegës për të ngritur lart flamurin shqiptar, bën të ditur RTSH.

Teksa u prit me brohoritje nga qindra qytetarë, Gega ka parakaluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama tha se është privilegj për shqiptarët dhe kombin që të kenë një sportiste si Luiza. Ai foli edhe për shpërblimin që do të marrë Luiza, që sipas tij do të jetë i madh, por pa dhënë shifra konkrete.

“Nuk ka shpërblim financiar për atë që Luiza i ka dhënë kombit. Dhe kjo medalje “Kordoni i madh me Yllin për Mirënjohje Publike” është thjesht shprehja e përulur e admirimit dhe mirënjohjes por nuk e kompenson dot sepse nuk ka shpërblim që të kompensojë sfilitjen, gjakun, lotët dhe djersën. Normalisht Luiza kjo medalje është bërë për figura të larta shtetërore kryesisht, por ty të takon më shumë se kushdo tjetër”,- tha Rama.

Foto:FB

Foto:FB

Kampionia e Evropës, Luiza Gega, tha mes emocionesh tha se ajo ka pasur shumë oferta për të vazhduar me vende të tjera, por tha se e do shumë Shqipërinë dhe se ka besuar se vendi do të ndryshojë. (Elona)