Fazat stinore të pranverës

Secila fazë stinore zgjat afro dy javë dhe kinezët i emërtojnë ato sipas ditës së parë të secilës periudhe kohore. Këto ditë ndryshojnë çdo vit sipas vendndodhjes së diellit në ekliptikë, por janë në periudha të përcaktuara.

Fazat stinore të pranverës

Lulet e kumbullit u çelën në fillim të pranverës në Pekin/ CFP

“Fillimi i pranverës”

“Fillimi i pranverës” bie zakonisht gjatë periudhës 3-5 shkurt dhe sivjet qëlloi më 4 shkurt, kur u hapën Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022.

Kjo fazë stinore simbolizon nisjen e pranverës. Dita e “Fillimit të pranverës” është pika e kthesës e klimës vjetore. Pas kësaj dite, ngrihet temperatura dhe shtohet koha e ndriçimit diellor, si dhe sasia e reshjeve.

Kjo fazë stinore është më e pëlqyeshme nga fshatarët, meqenëse në natyrë, pranvera është stina kur bimët lëshojnë sytha dhe kafshët rigjallërohen.

Edhe ushqimet e kinezëve gjatë kësaj fazës stinore përputhen me karakteristikat e natyrës, që do të thotë se ata hanë më shumë bimëza ose filiza perimesh, si p.sh. filizat e sojës së gjelbër, filizat e bizeles, bimëzat e hudhrës etj. Dhe njëkohësisht ata hanë më pak mish, për të shmangur therjen e bagtive.

Në disa rajone të Kinës, njerëzit hanin perime të freskëta në këtë ditë. Ata besonin se perimet jo vetëm mund të parandalonin sëmundjet, por edhe të sillnin shijen e pranverës. Ngrënia e tyre quhet edhe “ngrënia e pranverës”.

Në Kinë ka një proverb të vjetër, që thotë se “të gjitha punët e vitit varen nga një fillim i mirë në pranverë”. Ardhja e ditës së “Fillimit të pranverës” jo vetëm i lajmëron bujqit për fillimin e stinës së ngarkuar me punë bujqësore, por edhe u tregon të gjithëve fillimin e një viti.

Fazat stinore të pranverës

Lulet e pjeshkut në shiun e imët në provincën Yunnan të Kinës Jugperëndimore/ CFP

“Uji i shiut”

“Uji i shiut” është faza e dytë stinore pas “Fillimit të pranverës”. Kjo fazë stinore, që bie më 18, 19 ose 20 shkurt, pasqyron fillimin e rënies së shiut. Dita e “Ujit të shiut” në vitin 2022 rastisi më 19 shkurt.

Ardhja e kësaj faze simbolizon largimin e dimrit të ftohtë me dëborë dhe afrimin e ditëve me ajër të lagët, me rreze të ngrohta dielli e me shi të imët.

Fazat stinore të pranverës

Fluturi në lule në provincën Hainan të Kinës Jugore në kuadrin e "zgjimit të insekteve"

“Zgjimi i insekteve”

“Zgjimi i insekteve” është faza e 3-të stinore e vitit. Ajo bie më 5, 6, ose 7 mars sipas kalendarit diellor. Në vitin 2009, dita e “Zgjimit të insekteve” bie më 5 mars.

Sipas shpjegimit popullor, pas “Zgjimit të insekteve”, temperatura vazhdon të rritet dhe bubullimat e pranverës zgjojnë kafshët e ndryshme nga gjumi dimëror. Ato dalin nga dheu për të gjetur ushqim. Vezët e insekteve që kalojnë dimrin nën dhe, fillojnë të çelin.

Qysh nga kohët e lashta, kinezët i kanë kushtuar vëmendje të madhe kësaj faze stinore, duke e konsideruar si fillimin e punëve bujqësore në stinën e pranverës. Një proverb kinez thotë se “pas fazës stinore të ‘Zgjimit të insekteve’, nuk mund të ndalohet puna bujqësore në stinën e pranverës”, sepse “kur dëgjohen bubullimat e pranverës, të gjitha bimët fillojnë të rriten”.

Fazat stinore të pranverës

Pranvera në Pallatin e Dimrit/ CFP

 “Sanatadita e pranverës”

“Sanatadita e pranverës” (që njihet ndryshe edhe si ekuinoksi i pranverës) bie më 19, 20, 21 ose 22 mars. Në vitin 2022, sanatadita e pranverës është më 20 mars. Në këtë ditë, dielli ndriçon pingul ekuatorin e Tokës dhe dita është e barabartë me natën. Kjo ditë e ndan edhe pranverën në dy pjesë të barabarta.

Bimët e mbjella para dimrit fillojnë të rriten shpejt dhe kërkojnë më shumë shërbim agroteknik. Proverbi thotë thotë se “në fazën stinore të ‘Sanataditës së pranverës’ pas ‘Zgjimit të insekteve’, duhet të bëjmë mbjelljen, plehërimin dhe lërimin e thellë”.

Në “Sanataditën e pranverës”, dhjetëra milionë njerëz në botë bëjnë lojën e “vendosjes së vezës pingul”. Kjo lojë është e thjeshtë, por shumë interesante. Zgjedhim një vezë të freskët 4- a 5-ditëshe, pastaj e vëmë me kujdes pingul në tryezë. Shumë njerëz dështojnë në këtë lojë, por lojtarët e suksesshëm nuk janë të paktë.

“Sanatadita e pranverës” është periudha më e mirë për këtë lojë. Por pse veza vendoset më lehtë pingul në këtë ditë? Kjo dukuri përmban në vetvete disa parime shkencore. ‘Sanatadita e pranverës’ është në mes të pranverës dhe temperatura është shumë e përshtatshme. Njerëzit e kanë zemrën të qetë, e kanë mendjen të kthjellët dhe dorën të shkathët, prandaj e vendosin vezën pingul më lehtë.

Fazat stinore të pranverës

Ndërtesa tradicionale kineze pranë liqenit Yangzhou në Lindje të Kinës në fazën stinore "Shkëlqimi i pastër"

“Shkëlqimi i pastër”

“Shkëlqimi i pastër” bie zakonisht më 4, 5 ose 6 prill. Në vitin 2022 “Shkëlqimi i pastër” është më 5 prill.

Në librin e lashtë kinez, prejardhja e kësaj faze përshkruhet me këto fjalë: “Të gjitha qeniet rriten, koha është e pastër dhe e ndritshme. Prandaj kjo fazë emërtohet si ‘Shkëlqimi i pastër’”. Me ardhjen e kësaj faze rritet shumë sasia e shiut, kështu që kjo është një periudhë e çmuar për kultivimin dhe mbjelljet pranverore.

“Shkëlqimi i pastër” është jo vetëm një fazë stinore, por edhe një festë shumë e rëndësishme për përkujtimin e paraardhësve të familjes, e cila është përfshirë në listën kombëtare të trashëgimive kulturore jomateriale të Kinës. Sipas të dhënave historike, Festa e Shkëlqimit të Pastër ka një histori mbi 2500-vjeçare. Pastrimi i varreve është aktiviteti më i rëndësishëm gjatë Festës së Shkëlqimit të Pastër. Njerëzit shkojnë te varret e paraardhësve dhe të të afërmve për t’i pastruar. Ata ndezin temjan e qirinj me erë të mirë dhe vënë ushqime blatimi para varreve. Pastaj ata përkulen me nderim të thellë dhe hedhin raki para varreve.

Kinezët i vijojnë edhe sot zakonet e përkujtimit të paraardhësve dhe të të afërmve në Festën e Shkëlqimit të Pastër. Ajo është bërë edhe festë kombëtare zyrtare e Kinës.

Për shkak të ngrohjes së motit në këtë fazë, pyjet dhe bari gjelbërojnë, prandaj kinezët e quajnë Festën e Shkëlqimit të Pastër edhe festa e ekskursionit.

Fazat stinore të pranverës

Arat e grurit në pranverë në Verilindje të Kinës/ CFP

“Shiu i drithit”

“Shiu i drithit” është në dhjetëditorin e 3-të të prillit dhe sivjet bie më 20 prill.

Lidhur me “Shiun e drithit”, në Kinë është e përhapur një fjalë e urtë, që thotë se “shiu favorizon rritjen e qindra drithërave”. Gjatë kësaj faze bie shi i mjaftueshëm dhe në kohë, bimët bujqësore të porsadala vaditen me ujin e shiut dhe rriten të shëndetshme.

“Shiu i drithit” është një fazë e rëndësishme stinore për fshatarët që mbjellin çaj në jug të Kinës. Shumica e fshatarëve i vjelin dhe i përpunojnë gjethet e çajit para “Shiut të drithit”.

Kur gjethet e çajit të gjelbër vilen para fazës stinore “Shkëlqimi i pastër”, ai quhet “çaji para shkëlqimit”. Shumica e gjetheve të vjela në këtë kohë kanë vetëm një syth. Ngjyra, era dhe shija e tyre pasqyrojnë karakteristikat e pranverës së herët. Ato konsiderohen si gjethe të shkëlqyeshme të çajit të gjelbër. Gjethet e çajit të gjelbër që vilen pas “Shkëlqimit të pastër” dhe para “Shiut të drithit” quhen “gjethe çaji para shiut” ose “çaji i pranverës”.

Fazat stinore të pranverës

Kopshti i çajit në provincën Zhejiang të Kinës Lindore

“Çaji para shkëlqimit”është shumë i paktë në sasi, prandaj shitet me çmim shumë të lartë, ndërsa “çaji para shiut” janë kryesisht gjethet e çajit dhe ai ka vëllim të madh prodhimi, prandaj çmimi i tij është relativisht i ulët dhe ky çaj u pëlqen më shumë kinezëve të thjeshtë.

Në vitin 2010, OKB-ja vendosi Ditën e Gjuhëve të OKB-së në ditën “Shiu i drithit”, në përkujtim të krijuesit të hieroglifeve kineze Cangjie.

Sipas librit “Huainanzi”, një vepër klasike e lashtë kineze, Perandori i Verdhë shpalli me një dekret të nxjerrë në fund të pranverës dhe në fillim të verës, suksesin e krijimit të hieroglifeve nga Cangjie dhe u bëri thirrje të gjithë banorëve t’i mësojnë ato. Krijimi i hieroglifeve është një ngjarje madhore. Thuhet se falë kontributit të madh të Cangji-së, Perandori i Qiellit urdhëroi hapjen e silosit të drithërave në qiell, që të shpëtonte banorët në Tokë nga fatkeqësia natyrore. Me anë të "shiut të drithit", njerëzit në Tokë mbijetuan. Më vonë, kjo ditë u quajt “Shiu i drithit” dhe u bë një nga 24 fazat stinore.