Dy muaj më parë, një grup elefantësh aziatikë në Kinë u kthyen më në fund në shtëpinë e tyre pas një aventure 17-mujore, çka tërhoqi vëmendje globale.
Përdorimi i dronave, kufizimi i trafikut, dërgimi i ekipit të posaçëm... të gjitha masat nga autoritetet vendore për shoqërimin e elefantëve në shtëpi tregojnë durimin dhe përkujdesjen e popullit kinez për këta elefantë.
Por diskutimet mbi qytetërimin ekologjik vazhdojnë dhe interesi i publikut për çështje të tilla tregon që gjithnjë e më shumë vëmendje po kushtohet në këtë drejtim.
Mbledhja e 15-të e Konferencës së Palëve të Konventës mbi Diversitetin Biologjik të OKB-së (COP15) filloi zyrtarisht në qytetin Kunming të provincës Yunnan të Kinës Jugperëndimore të hënën.
Mbledhja e COP15-s, me temë "Qytetërimi ekologjik: Ndërtimi i së ardhmes së përbashkët për të gjithë jetën në tokë", është konferenca e parë globale e thirrur nga OKB-ja mbi temën e qytetërimit ekologjik.
Në këtë mbledhje u miratua të mërkurën Deklarata e Kunming-ut.
Në deklaratë shprehet angazhimi për të përshpejtuar dhe forcuar formulimin dhe përditësimin e strategjive dhe planeve kombëtare të veprimit për ruajtjen e biodiversitetit, për të krijuar një sistem efektiv të zonave të mbrojtura dhe për të përmirësuar në mënyrë aktive kuadrin ligjor global për mjedisin.
Gjithashtu, do të bëhen përpjekje për të rritur mbështetjen financiare, teknologjike dhe në krijimin e kapaciteteve për vendet në zhvillim, për të zbatuar Kornizën Globale të Biodiversitetit pas 2020-ës.
Në deklaratë shprehet gjithashtu zotimi për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe veprimin e bashkërenduar me Konventën Kuadër për Ndryshimet Klimatike të Kombeve të Bashkuara (UNFCCC) dhe marrëveshje të tjera ekzistuese shumëpalëshe mbi mjedisin, për të promovuar ruajtjen dhe përtëritjen e biodiversitetit tokësor, të ujërave të ëmbla dhe të ujërave detare.
Të dashur miq, kemi vetëm një Tokë. Si një qytetar i kësaj bote, ju ftojmë të mësojmë së bashku Deklaratën e Kunming-ut dhe të marrin masa konkrete për të mbrojtur njerëzit tanë të dashur dhe për ta përmirësuar këtë botë. Jam Burimi. Shihemi herën tjetër.