Emigracioni ka qënë një fenomen për shqiptarët gjatë viteve të tranzicionit.
Më së shumti ata janë vendosur në Itali, Greqi, Gjermani, e vende tjera të Europës. Janë integruar në shoqëritë perëndimore, kanë krijuar familjet e tyre dhe modele suksesi në ekonomi, arsim, art dhe kulturë.
Ata edhe në zemër të qytetërimit europian, ruajnë gjuhën, traditat, artin, kulturën, dhe kostumet shqiptare.
Do të tregojmë për familjen Qokaj në Lecco të Italisë, të cilët janë larguar nga Shqipëria më shumë se dy dekada më parë.
Bashkëshortët Ndue dhe Drita si dhe pesë fëmijët e tyre kanë pasion këngët dhe vallet shqiptare.
Prej vitesh kanë krijuar “Grupin e valleve shqiponjat” bashkë me bashkëatdhetarë të tjerë dhe japin koncerte në shumë qytete të Italisë dhe vende europiane.
Ndueja ka studiuar në shkollën e lartë të oficerëve dhe është diplomuar tankist, por pasionin për artin dhe këngët e venlindjes si ka braktisur asnjëherë.
Ky koncert në zemër të qytetit Lecco, ishte veprimtaria e parë artistike pas pandemisë së Covid 19.
Për disa orë , artëdashësit në Piazza Garibaldi, ndoqën me adhurim e duatrokitje artistët shqiptarë.
Muzika, këngët, vallet dhe kostumet shqiptare janë një vlerë e shtuar në gjerdanin e larmishëm të kulturës europiane.