Të martën u hap në qytetin Ningbo të Kinës Lindore Ekspozita e 2-të Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore. Presidenti kinez Xi Jinping i dërgoi letër urimi panairit që synon nxitjen e hyrjes së më shumë produkteve special nga Europa Qendrore e Lindore, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Rreth 5000 produkte nga vendet e Europës Qendrore e Lindore si Shqipëria, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Bullgaria etj., ekspozohen në vendin e organizimit, Qendër të Ekspozitës të Ningbo-s, ku pritet të marrin pjesë mbi 2000 ndërmarrje nga Europa dhe mbi 6000 blerës kinezë.

Ndër produktet ekspozimi, gjenden edhe ato nga Shqipëria, si vera, birra, vaji i ullirit, uji mineral, mjalti etj.

Të mërkurën u organizua një dialog në internet, ku morën pjesë përfaqësuesit e qarqeve politike dhe të biznesit të Kinës dhe Shqipërisë, që diskutuan për shfrytëzimin e mundësive të të dy tregjeve, nxitjen e bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë etj. Në videofjalimin e rastit, ambasadori kinez në Shqipëri, z. Zhou Ding, mirëpriti futjen e më shumë mallrave shqiptare në tregun e Kinës.

Ambasadori kinez Zhou Ding

Ambasadori kinez Zhou Ding

Dialog online

Dialog online

“Mekanizmi i bashkëpunimit Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore ka luajtur një rol të rëndësishëm për thellimin e shkëmbimeve kino-shqiptare. Jam shumë i lumtur që shoh në këtë edicion të ekspozitës rritjen e ndjeshme të numrit të kompanive shqiptare të ushqimeve dhe shtimin e interesit të blerësve e medieve kineze për produktet shqiptare. Për shumë vjet sipërmarrësit shqiptarë, si pionierë dhe eksplorues të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar ndërmjet të dy vendeve, janë edhe promovues të miqësisë midis dy popujve. Shpresoj se pjesëmarrësit në këtë edicion të ekspozitës, si shqiptarë, ashtu edhe kinezë, do të shkruajnë së bashku një faqe të re në historinë e marrëdhënieve miqësore dypalëshe, duke u sjellë më shumë përfitime popujve tanë,” u shpreh përfaqësuesi i diplomacisë kineze në Shqipëri.

Diplomati shqiptar Andi Xhoi në ekspozitën

Diplomati shqiptar Andi Xhoi në ekspozitën

Gjatë Samitit të Udhëheqësve Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore të organizuar në shkurtin e sivjetshëm, Administrata e Përgjithshme e Doganave e Kinës dhe Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë nënshkruan dy protokolle për inspektimin dhe kushtet sanitare të karantinës për eksportimin përkatësisht të mjaltit dhe produkteve të bulmetit nga Shqipëria në Kinë. Pas zhvillimit të suksesshëm të bisedimeve në internet në prill të këtij viti për tregtinë e produkteve bujqësore, dy vendet po nxitin arritjen e marrëveshjes edhe për kontrollin dhe karantinën e produkteve të tjera shqiptare në Kinë.

Lidhur me këtë, diplomati i Shqipërisë në Kinë, Andi Xhoi, u shpreh se pjesëmarrja e produkteve shqiptare në ekspozitë është vënia e parë në praktikë e protokolleve pas nënshkrimit të tyre.

“Ekspozita është një mundësi e mirë, pasi një nga produktet që do të ekspozohen në ekspozitë është mjalti, i cili është pjesë e këtij protokolli. Shpresoj që shumë shpejt të finalizohen të gjithë procedurat e duhura dhe të shohim më shumë produkte shqiptare në tregun kinez,” tha z. Xhoi.

Për paraqitjen e mallrave shqiptare në tregun kinez, dega e Pekinit e Këshillit për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës ka bërë shumë përpjekje.

Vera në pavijonin e produkteve shqiptare

Vera në pavijonin e produkteve shqiptare

Lidhur me këtë, kreu i kësaj dege Zhang Yongming u shpreh në një intervistë për gazetarët e CMG-së: “Nëpërmjet marrëveshjes së bashkëpunimit miqësor, organizata jonë dhe dhomat e biznesit të vendeve të Europës Qendrore e Lindore synojnë ofrimin e shërbimeve më të mira për ndërmarrjet e të dy palëve, që ato të paraqesin mallrat e tyre në tregjet e njëra-tjetrës, pra që produktet kineze të hyjnë në Europën Qendrore e Lindore dhe produktet e vendeve të Europës Qendrore e Lindore të futen në Kinë. Organizata jonë do të bëjë më shumë për të promovuar hyrjen në tregun kinez të më shumë mallrave prej vendeve të Europës Qendrore e Lindore, duke përfshirë ato shqiptare.”

Si ekspozita e vetme në nivel kombëtar në Kinë për vendet e Europës Qendrore e Lindore, në Ningbo ka një zonë të përhershme ekspozimi për produktet e posaçme të vendeve të EQL-së. Kjo zonë me sipërfaqe 15 mijë metra katrorë është e ndarë në 28 pavijone, ku do të ekspozohen mbi 4 000 produkte nga vendet e EQL-së. Siç mësohet, pavijoni i përhershëm i produkteve shqiptare pritet të përurohet në shtatorin e këtij viti. Në atë kohë, më shumë produkte cilësore ushqimore shqiptare do të takohen me konsumatorët kinezë.

Çajëra frutash shqiptare

Çajëra frutash shqiptare

Çajëra frutash shqiptare

Kompania "Beijing World Trade" është agjente e garantimit të furnizimit të produkteve shqiptare. Për perspektivën e këtij sektori biznesi, zv.kryemenaxheri i kompanisë, Sun Dong, u shpreh optimist:

“Produktet shqiptare janë bio, të pandotura, duke qenë tërheqëse për konsumatorët. Prandaj, u përpoqëm të marrim pjesë në ekspozitën e përhershme në Ningbo, duke krijuar një pavijon me produktet origjinale shqiptare.”

Shkëmbimet tregtare midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore janë rritur në mënyrë të qëndrueshme vitet e fundit. Vjet, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë dypalëshe i kaloi për herë të parë 100 miliardë dollarët amerikanë, 8.4 % më shumë në krahasim me vitin 2019, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti u rrit me 50.2 %, 11 pikë përqindjeje mbi nivelin mesatar të rritjes së tregtisë së jashtme të Kinës.

Ekspozita e 2-të Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore do të zgjasë deri më 11 qershor, dhe në të pritet të marrin pjesë mbi 2 000 kompani ekspozuese dhe më shumë se 6 000 blerës.(Zhang Yan/Artan)