Egjipti ka marrë grupin e parë të lëndëve të para për të prodhuar vaksinën “Sinovac” të Kinës, njoftoi Ambasada Kineze në Egjipt, raporton “Xinhua”.
Së bashku me lëndët e para të “Sinovac”, një dërgesë e re e vaksinave anti-Covid kineze “Sinopharm” mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Kajros të premten, sipas deklaratës së Ambasadës Kineze.
Ministri egjiptian i Shëndetësisë Hala Zayed deklaroi më 9 maj se Egjipti do të fillojë prodhimin vendas të vaksinave “Sinovac” në qershor dhe 2 milionë dozat e para do të prodhohen në impiantet e “Egjiptian Holding Company” për Produkte Biologjike dhe Vaksinat (VACSERA).
Produkti përfundimtar vendor do të shpërndahet në qendrat mjekësore në të gjithë Egjiptin në dy muaj pasi të vlerësohet nga Autoriteti Egjiptian i Barnave, tha Zayed në një konferencë shtypi në aeroport.
"VACSERA do të prodhojë më shumë se 5 milionë doza të vaksinës “Sinovac” në dy muaj dhe 40 milionë doza brenda një viti", -tha ministri.
Kina ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në diversifikimin e Egjiptit në burimet e vaksinave dhe promovimin e rimëkëmbjes ekonomike të vendit në epokën post-pandemike, theksoi ajo.
Pas plotësimit të nevojave të vetë Egjiptit, vaksinat e prodhuara në Egjipt do të eksportohen në vende të tjera në Lindjen e Mesme dhe Afrikë për të ndihmuar në luftën kundër pandemisë, tha ministri egjiptian.
Nga ana e tij, ambasadori kinez në Egjipt Liao Liqiang tha se, ndërsa Egjipti merr lëndët e para të vaksinës “Sinovac”, ai bëhet vendi i parë në kontinentin afrikan që bashkëpunon me Kinën në prodhimin e vaksinave Covid-19. (Fatosi/ Video nga Xinhua Global Service)