19 fëmijë jetim social jetojnë në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër, të cilët I përkasin moshës 6-15 vjeç dhe janë nga e gjithë Shqipëria. Në këtë institucion i ofrohen të gjitha shërbimet, duke filluar nga arsimi e deri tek kujdesi shëndetësor. Fëmijët ndjekin kurse të ndryshme jashtëshkollore si anglisht, pikturë, muzikë etj dhe së fundmi një projekt nga regjisorja Enerjeta Jani Fuga iu dedikua atyre, "Rrugëtim i ndryshëm i njëjti destinacion". Nëpërmjet këtij projekti, fëmijët arritën të preknin ëndrrat e tyre falë emocioneve që përjetuan nga interpretimi në skenë i komedisë " Pas Vdekjes" të autorit Andon Zako Çajupi. Kurrë më parë nuk kishin arritur të ishin në rolin e aktorëve, por më të lumtur se kurrë interpretojnë dhe janë para syve të të gjithëve, ku vëmendja dhe duartrokitjet e publikut ishin një përqafim i pasionit të tyre. Vetë autorja e këtij projekti regjisorja Enerjeta Jani Fuga tregon se si i lindi dëshira që të përfshinte këta fëmijë në art dhe të ndihen të barabartë me të gjithë fëmijët e tjerë dhe pse jo të zbulojnë edhe talente të reja të cilëve një ditë mund t’i ndryshojë të ardhmen, jetën e tyre. "Rrugëtim i ndryshëm i njëjti destinacion" është projekti që u realizua me ndihmën e aktorit Jozef Shiroka, i cili punoi shumë javë, duke bërë prova pafund deri në realizimin e mrekullueshëm të komedisë dhe misionit të përbashkët që të interpretonin me profesionalizëm para spektatorit, këta fëmijë si kurrë më parë. Këta fëmijët përtej vështirësive që jeta mund t’i ketë rezervuar, janë plot me talente, dëshira, shpresë dhe me sy nga ne që mund të bëjmë diçka më shumë për ta, t’i mbështesim, të jemi të drejtë dhe t’i japim krahë ëndrrave të tyre që të ecin me vetëbesim dhe kurajo në të gjitha sfidat e jetës dhe të mos të ndihen të përjashtuar në asnjë disiplinë. "Rrugëtim i ndryshëm i njëjti destinacion" është një projekt i mbështetur nga Shoqata OrArt në bashkëpunim me shtëpinë e fëmijës Shkodër dhe i financuar nga TEYC (The European Youth Capital) Tirana kryeqyteti europian i të rinjve 2022 dhe ka për qëllim që të nxis, promovojë talente të reja, veçanërisht këta fëmijë. Ky projekt do të ndihmojë edhe fëmijë të tjerë pasi do të realizohet edhe në Shtëpinë e fëmijës në Sarandë. Të tjerë fëmijë do gëzohen dhe ngjiten në skenë së shpejti.