Tri dekada më parë, pikërisht në vitin 1992, kur Shqipëria sapo kishte hyrë në rrugën e tregut të lirë, Bujar Hudhri themeloi shtëpinë botuese Onufri. Me qendër në Tiranë, si dhe një dege në Prishtinë, Onufri është një ndër shtëpitë botuese më të mëdha e më të njohura. Intelektuali, që vinte nga gazetaria, zgjodhi fushën e botimeve, jo vetëm se ato i bashkon fjala, por edhe si një mision për t’u shërbyer shkrimtarëve. Shtëpia Botuese Onufri, apo Onufri Botime, ka marrë emrin e piktorit më të shquar shqiptar të shekullit të 16-të Onufri. Gjithashtu, është një përkim i bukur dhe interesant që ajo do të bëhej edhe shtëpia botuese e shkrimtarit Ismail Kadare, ndër më të famshmit në botë, i cili konsiderohet si klasiku i gjallë i letërsisë shqipe. Nëpërmjet veprës së Kadaresë, emri i shtëpisë botuese Onufri është i njohur në të gjitha kontinentet. Në rrugëtimin e suksesshëm ka botuar, jo vetëm shkrimtarët shqiptarë më të njohur, brenda dhe jashtë trojeve amtare, por edhe shumë autorë të huaj. Bujar Hudhri dhe shtëpia botuese "Onufri" kanë dhënë një kontribut të spikatur për shumë vite me radhë, për njohjen e lexuesve shqiptarë me kulturën kineze dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror të Kinës, duke botuar shumë libra kinezë me ndikim të madh, si "Urtësia shekullore dhe qeverisja - Citimi i veprave klasike kineze nga presidenti Xi Jinping", "Rruga e Zhvillimit dhe e Reformës Ekonomike e Kinës", "Fotoalbumi për nismën 'Një brez, një rrugë", "Kultura e çajit në Rrugën e Mëndafshit", etj. Në vitin 2018, Onufri është vlerësuar me çmimin më të rëndësishëm të industrisë së botimit të librave kinezë nga shtëpi botuese të huaja "Kontribut i Veçantë për Librat Kinezë". Letërsia dhe kultura luajnë një rol të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit, mirënjohjes reciproke dhe miqësisë midis dy popujve.