Xhamia e Plumbit është një monument kulture i kategorisë së parë në Shkodër. Xhamia e Mehmet Pashë Bushatit ose Xhamia e Plumbit u ndërtua në vitin 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushati (Plaku), themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës. Kjo xhami është një nga ndërtesat më të vjetra të Shkodrës dhe xhamia më e madhe dhe më e bukura e Shqipërisë deri në gjysmën e parë të shekullit XX. Xhamia ka qenë e veshur me plumb dhe nga kjo u quajt “Xhamia e Plumbit”, e me këtë emër njihet edhe sot. Xhamia e Plumbit në Shkodër është e vetmja xhami shqiptare, e përfshirë mes 50 objekteve më të bukura myslimane në botë.