Kjo kështjellë katërkëndëshe në Butrint, pranë grykës së derdhjes në det të kanalit të Vivarit është ndertuar nga Ali Pasha rreth viteve 1807 – 1808, për të ndaluar zbarkimin e ushtrive franceze të Korfuzit.
Kështjella ka përmasa 20 x 30 m, me katër kulla të vendosura nëpër qoshe. Dy kullat e drejtuara nga deti kanë planimetri rrethore, ndërsa dy të tjerat, në anë të kundërt janë katërkëndëshe. Midis këtyre të fundit ndodhet edhe porta kryesore e kështjellës. Një portë tjetër më e ngushtë është hapur në mesin e murit verior, në drejtim të bregut të kanalit. Mënyra e mbrojtjes së kësaj porte është e veçantë. Përveç dy kullave, që e mbronin nga ana e jashtme, kështjella ka dhe një sistem të brendshëm fortifikimi.
Gjithshka në ndërtimin e kësaj kështjelle tregon që synimi kryesor ishte mbrojtja nga ana e detit. Në këtë drejtim janë ndërtuar dhe kullat më të fuqishme të pajisura me frëngji të mëdha topash, trashësia e mureve të të cilave arrin në bazë 2.80 m, ndërsa dy kullat e tjera me planimetri katërkëndëshe, që nuk i ekspozohen goditjes me artileri nga anijet kanë një trashësi muresh 1 deri në 1,20 m.