Pallati Presidencial, i njohur si Pallati i Brigadave, u projektua dhe ndertua nga arkitektët italianë në vitet 1939- 1941. Fillimisht ishte destinuar për familjen mbretërore të Mbretit Zog I-rë, i cili u largua nga Shqipëria që në vitin 1939 si pasojë e pushtimit italian të vendit.

Parku që rrethon këtë pallat shtrihet në rreth 36 ha. Sipërfaqja shtrihet në shumë zona dhe përbëhet nga shatërvanë me zinxhirin e ujit, galeri skulpturash në disa parqe, disa radhë kopshtesh me pemë, lule dhe labirinte në formë spiraleje, kopshti i luleve, shtegu i pyllit, kopshti me pishinë si dhe pista e stërvitjes së kuajve. Ky park është një galeri e vërtetë me skulptura mitologjike, i ndërtuar sipas modelit të Tempullit të Muzave, i kultit mitologjik të Apollonit, realizuar në vitet ’30 -’43.

Rezidenca ka shërbyer si Pallat Mbretëror vetëm një herë, gjatë vizitës së Perandorit Viktor Emanueli në Shqipëri në maj të vitit 1941.

Emrin “ Pallati i Brigadave” e mori në vitin 1945 në nderim të brigadave partizane që e çliruan , emër i cili u përdor deri në lindjen e pluralizmit politik.

Duke filluar nga viti 1992, emri zyrtar i këtij institucioni është “Pallati Presidencial”.

Që nga viti 1945 ndërtesa shërben si Pallat Presidencial për pritjet zyrtare.