Me emrim simbolik e domethënës Shqiponjat e rrugëve, është pagëzuar grupi prej tridhjetë motoristëve të apasionuar që organizojnë vazhdimisht udhëtime nëpër vendet turistike të Shqipërisë dhe Kosovës.Këtë radhë njerëzit e aventurës mbi motorrët e fuqishëm kishin përzgjedhur skajin më verior, Kelmendin, perlën e natyrës shqiptare ku dëbora ruan ende pushtetin e saj.Në një ditë të bukur pranvere, udhëtimi do të bëhej me ndalesa për të prekur e shijuar peisazhet mahnitëse që shpalosen njëri pas tjetrit, nga bregu i liqenit të Shkodrës deri në lartësitë e alpeve. Sportin e udhëtimit me motorr e ushtrojmë plot pasion pasi na mbush me adrenalinë, shprehet Kujtim Çela, presidenti i Shqiponjave të rrugëve që shokët e thërrasin Baca.Grupi prej 30 motorristësh gjatë periudhës prej afro dy dekadash nga dita kur është formuar, ka përshkuar të gjitha rrugët e atdheut duke përjetuar kënaqësi dhe promovuar natyrën e bukur shqiptare.