Butrinti është një qytet i madh dhe kompleks, me rrënoja nga periudha të ndryshme dhe zbulime arkeologjike, që ngjan si një ekspozitë e hapur e vlerave historiko-kulturore te qytetërimit të lashtë.
Sipas specialistëve të arkeologjisë, rezulton se kjo qendër ka qenë e banuar së paku që në shek. VII para Krishtit.
Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin jug-lindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga liqeni i Butrintit, dhe nga kanali i Vivarit. Në përbërjen e këtij parku gjënden lloje të shumta drurësh me gjelbërim të përhershëm.
Ka pemë që arrijnë deri 12 metra lartësi, me një diametër 60 deri 80 centimetra duke i dhënë jetë dhe hijeshi peisazhit.
Qyteti antik, është një nga bukuritë më me vlerë të rivierës shqiptare dhe një nga destinacionet më të lakmuara jo vetëm nga turistët e huaj, por edhe nga vetë shqiptarët.
Historia, e Butrintit gërshetohet me artin antik dhe rrethohet nga një bukuri e mahnitshme mesdhetare.
Butrinti i fortifikuar ka shërbyer vazhdimisht si strehë për kolonët dhe ata që banonin në këtë qytet. Gjatë periudhës së luftërave civile, Butrinti përmendet nga Çezari në veprën e tij, si një nga bazat kryesore të furnizimeve dhe pikë strategjike për zotërimin e kanalit të Korfuzit.