Berati është një qytet muze që e gëzon këtë status për më shumë se një gjysëm shekulli, që nga viti 1961.
Ky qytet muze ka pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme për nga gjinitë, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij.
Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. 60 prej tyre jane janë monumente të kategorisë së parë.
Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat është Kështjella.
Ajo është ndërtuar me gurë gjigantë në formë katrori dhe në periudhën bizantine ndodhej në listën e fortifikimeve të Justinianit.
Kështjella ose kalaja, siç quhet nga beratasit është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440m, me 24 kulla dhe dy porta. Me themelet e saj ilire, e rindërtuar disa herë në shekujt VI, XIII, XV dhe XIX (6-8-15- dhe 19) ajo është sot jo vetëm një nga kështjellat më të mëdha të banuara, por edhe një arkiv i gurtë që ofron varietete stilesh dhe kontributesh të epokave të ndryshme: ilire, romako-bizantine, shqiptare e turke.
Kështjella është pjesë e legjendës së vjetër e të bukur të Tomorit dhe Shpiragut.
Arkitektura e qytetit është e veçantë, ku arti i ndërtimit harmonizohet natyrshëm me terrenin duke i dhënë peisazhit bukuri të veçantë.