Në qytetin e Shkodrës është kthyer në traditë organizimi i panairit me rastin e festës së Vitit të Ri.

Për disa ditë rradhazi qytetarët kanë mundësi të përzgjedhin nënprodukte të qumështit, pije alkolike, mjaltë, çajë dhe fruta pylli, punime artistike dhe prodhime artizanale.

Rruga pedonale në qëndër të qytetit shndërrohet në një zonë biznesi për fermerët dhe artizanët e shumtë.

Kjo traditë u ruajt edhe sivjet në kushtet e pandemisë, duke treguar kujdes për zbatimin e masave mbrojtëse.

Bashkia e Shkodrës, pas zbatimit të reformës territoriale shtrihet nga bregdeti Adriatik deri në zonën turistike të Alpeve të Dukagjinit.

Kjo bën të mundur që fermerët të sjellin në këtë panair një larmi prodhimesh cilësore.

Gjithashtu konsumatorët kanë mundesi të përzgjedhin prodhime të freskëta për tryezën familjare të natës së ndërrimit të viteve.

Prodhimet artistike të mjeshtrave duarartë shkodranë, përzgjidhen nga vizitorët për tu dhuruar njerëzve të dashur diçka simbolike për festën që po troket.