Pazari i Krujës është një nga zonat më të vjetra të historisë shqiptare. Ndërtimi i tij daton rreth 400 vjet më parë dhe është një vlerë e padiskutueshme historike-arkitektonike e trashigimise kulturore.

E gjithë hapësira është atraksion i veçantë që përmbush më së miri statusin e një zone jo vetëm tregtare por edhe muzeale. Këtu nisi tregtia e lirë e prodhimeve artizanale të zejtarëve të talentuar të Krujës që ofronin nga punishtet e tyre mallra të shumëllojshme.
Pazari i pozicionuar në zemër të Krujës, është vendi më me gjallëri i ketij qyteti. Qilima, sixhade, kostume popullore, vegla pune tradicionale, vegla muzikore, prodhime bakri dhe suvenire të ndryshme tërheqin turistë të shumtë.
Pazari i Krujës është ndër të paktët që mban gjallë gjurmë të qytetërimit dhe traditave të hershme.
Ne mjediset e tij, vzitorët mund të gjejnë ende artizan që ruajnë traditën e prodhimit të qilimave dhe sixhadeve.
Kjo zonë turistike është shpallur monument kulture i kategorisë së parë sipas Institutit të Monumenteve të Kulturës së Shqipërisë dhe është një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend.
Restaurimi i viteve të fundit duke filluar nga fasadat, çatitë, ndriçimi dhe kalldrëmi, ka berë të mundur të ruhen vlerat dhe traditat e këtij qyteti.