Shurdhahu është një ishull në lumin Drin, ku ndodhet qyteti mesjetar i Sardës.

Deri në fund të shek. XV, qyteza e Sardës ka qenë një qendër e rëndësishme kulturore dhe pikë takimi e tre kulturave kryesore të gjithë trevës së Veriut: kulturës së Malësisë se Madhe, kulturës së Mirditës dhe asaj të Zadrimës, të cilat me karakteristikat e veçanta që i dallojnë nga njëra-tjetra, u kanë rezistuar kohës dhe rrymave kulturore të huazuara nga pushtues të ndryshëm.

Sarda, dikur një qytezë përbri Drinit, si një ishull strategjik dhe pikë ndërlidhëse me rrugën e vjetër Gjakovë-Shkodër-Ulqin, ishte vendbanim i familjes së madhe feudale të Dukagjinëve.