Sipas “Perspektivës Ekonomike Globale” të publikuar nga Banka Botërore të enjten, nën ndikimin e pandemisë dhe konfliktit midis Ukrainës dhe Rusisë, ekonomia globale po hyn në një periudhë afatgjatë rritjeje të ngadaltë. Pritet që rritja globale do të bjerë nga 5.7 për qind vjet në 2.9 për qind sivjet.
Edhe ekonomia kineze është ndikuar, por ajo ka elasticitet e gjallëri të fortë dhe zotëron ende potenciale të mëdha rritjeje. Kina është një zgjedhje e parapëlqyer nga investitorët. Qendra e kërkimit dhe e zhvillimit e “Tesla”-s në Kinë ende shpall njoftime pune, duke zgjeruar kapacitetin në Kinë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë të Kinës Shu Jueting tha:
“Kohët e fundit, edhe sondazhet e dhomave të huaja të tregtisë tregojnë që shumica e kompanive shumëkombëshe ende e konsiderojnë Kinën si tregun e tyre parësor, dhe pritet që më shumë investitorë të hyjnë në këtë treg në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë”.
Kryetari i nderit i Shoqatës Rumani-Kinë Vicentiu Gheorghe tha se 72.1 për qind e ndërmarrjeve të huaja i kanë rritur investimet e tyre në Kinë me mbi 5 për qind.Në të ardhmen, 13.5 për qind e ndërmarrjeve të huaja planifikojnë të rritin investimet e tyre në Kinë.
Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Zhvillim të Vazhdueshëm të Shqipërisë Enriko Ceko tha: “Sipas të dhënave, në katër muajt e parë të sivjetshëm, Kina shtoi 185 projekte të mëdha me kapital të huaj me vlerë të kontraktuar mbi 100 milionë dollarë, mesatarisht 1.5 projekte të mëdha çdo ditë. Sipas një raporti nga Këshilli për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare i Kinës, në tremujorin e parë, rreth 90 për qind e ndërmarrjeve të pyetura e ruajtën ose e zgjeruan përmasën e tyre të biznesit. ”
Në muajin prill të sivjetshëm, shumëkombëshja holandeze “Philips” krijoi qendrën e saj të kërkimit dhe zhvillimit në qytetin Shenzhen të Kinës.
[Foto: VCG]
Lin Jianping, zëvendëspresident i degës së “Philips”-it për Kinën, thekson: “Me ndihmën e politikës së Zonës së Madhe të Gjirit, mund të formojmë një lidhje ndërmjet qendrës së kërkimit dhe zhvillimit në Shenzhen me bazën e prodhimit në Zhuhai. Na pëlqejnë shumë kultura e risisë këtu në Shenzhen, mbledhja e talenteve dhe krijimi i një zinxhiri të plotë. ”
Svenska Kullager-Fabriken (SKF) me seli në Suedi është prodhuesja më e madhe e kushinetave në botë. Vetëm brenda tre vjetëve, SKF-ja ndërtoi dy bazë prodhimi në provincën Zhejiang dhe e zhvendosi qendrën e saj globale të kërkimit dhe zhvillimit nga Franca në Kinë.
“Në sektorin tonë, tregu kinez zë mbi një të tretën e tregut global. Kompania jonë planifikon të realizojë lokalizimin e 80 deri në 90 për qind të investimeve dhe vendosjen e zinxhirit të plotë të vlerës,” u shpreh zëvendëspresidenti dhe presidenti i Tregut Industrial në Azi-Paqësor i SKF-së Patrick Tong.
[Foto: VCG]
Vicentiu Gheorghe është i mendimit se ndërmarrjet e huaja në Kinë kanë besim të plotë te ekonomia kineze, pasi Kina ka pasur arritje të jashtëzakonshme në hapjen e zhvillimin ekonomik dhe ka gjithashtu një mjedis të mirë biznesi me infrastrukturë të mirë, nivel të lartë shërbimesh dhe burime të pasura njerëzore.
Ndërsa sipas Enriko Cekos, Kina është ende një ndër destinacionet më të pëlqyera nga investitorët e huaj, për shkak të përmasës së madhe të tregut, mjedisit të biznesit që përmirësohet vazhdimisht, dhe aftësisë të fortë për inovacion dhe kundër rrezikut. Kina është një destinacion investimesh nga i cili kapitali global nuk mund të heqë dorë, tha Ceko. (Li Huailiang/Artan)