Foto:VCG

Foto:VCG

Komentet e fundit të ambasadorit amerikan në Kinë Nicholas Burns për rajonin e Tajvanit "e quajnë të bardhën të zezë" dhe përsëri "ekspozuan logjikën hegjemoniste të Uashingtonit", tha të hënën një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze në përgjigje të komenteve të bëra nga Burns-i në një intervistë për CNN-in.

Burns tha për CNN-in të premten se përgjigjja e Kinës ndaj vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në Tajvan ishte një "reagim i tepruar".

Në përgjigjen e tij, zëdhënësi i diplomacisë kineze u shpreh se Pekini kishte paralajmëruar tashmë disa herë për pasojat përpara vizitës së Pelosit.

“Do të ishte e padrejtë të thuhej se ShBA-ja nuk ishte paralajmëruar për pasojat nëse do të zhvillohej vizita," shtoi ai.

Zëvendësministri kinez i Punëve të Jashtme Xie Feng thirri dy herë ambasadorin Burns për t'i bërë një demarsh serioz dhe një protestë të fortë palës amerikane në emër të qeverisë kineze, dhe i kërkoi ShBA-së që të ndreqë menjëherë gabimin duke ndërmarrë veprime konkrete për të zhbërë ndikimin jashtëzakonsisht negativ të vizitës së Pelosit, vuri në dukje zëdhënësi.

Ai ritheksoi se parimi i "Një Kine" është në qendër të interesave thelbësore të Kinës.

Pekini i kërkon Uashingtonit që t'u përmbahet normave bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke përfshirë respektimin e sovranitetit e të integritetit territorial të vendeve të tjera. (Artan)