Foto nga VCG

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u shpreh të hënën se Kina dhe Franca janë dy forca kryesore për mbrojtjen e stabilitetit në procesin e shumëpolarizimit të botës, duke u bërë thirrje të dy palëve të japin ndihmesën e duhur për mbrojtjen e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit.

Gjatë një bisede telefonike me Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të presidentit francez Emmanuel Macron, kreu i diplomacisë kineze vuri në dukje gjithashtu se kriza e Ukrainës ka treguar një prirje afatgjatë e komplekse, duke krijuar një situatë që bota nuk dëshiron ta shohë. Kina ka promovuar që nga fillimi paqen e negociatat dhe do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për të luajtur një rol konstruktiv për arritjen e armëpushimit.

Pala kineze vlerëson përpjekjet aktive ndërmjetësuese të presidentit Macron dhe beson se Franca do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në këtë çështje, shtoi ai.

Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kinës e BE-së, kryediplomati kinez shprehu shpresën se pala franceze do të luajë një rol aktiv në promovimin e zhvillimit të shëndetshëm të këtyre marrëdhënieve, në zgjerimin e bashkëpunimit Kinë-BE dhe në ngjitjen në nivele të reja të bashkëpunimit lidhur me sigurinë energjetike, tregun e karbonit, financat e gjelbra etj.

Nga ana e tij, Emmanuel Bonne tha se Franca i kushton rëndësi të madhe mbajtjes së shkëmbimeve të nivelit të lartë me Kinën. Pala franceze dëshiron të thellojë bashkëpunimin konkret me palën kineze në fushat e aviacionit, bujqësisë, ushqimit, energjetikës, shkëmbimeve njerëzore etj., si edhe të forcojë bashkërendimin në çështjet globale, duke përfshirë mbrojtjen e biodiversitetit dhe ndryshimet klimatike, duke mirëpritur zhvillimin sa më shpejt të një raundi të ri të dialogut strategjik ndërmjet të dy vendeve. (Fani/Artan)