Foto nga VCG

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi zhvilloi të enjten një bisedë telefonike me këshilltarin diplomatik të presidentit francez Macron, Emmanuel Bonne, me kërkesën e këtij të fundit.

Të dyja palët shkëmbyen mendime kryesisht për çështjen e Ukrainës.

Bonne tha se Franca ka ndjekur gjithmonë një politikë të jashtme të pavarur dhe nuk do të marrë pjesë në politikën e blloqeve. Sipas tij, Franca është përkushtuar për arritjen dhe ruajtjen e paqes dhe po komunikon me palët e ndryshme, përfshirë Rusinë, për çështje madhore, si arritja e asnjanësisë së Ukrainës dhe marrja e garancive të sigurisë.

Franca u kushton rëndësi të madhe pikëpamjeve të Kinës për situatën e tanishme dhe është e gatshme të bëjë përpjekje bashkë me të për të promovuar bisedimet e paqes, për të arritur armëpushimin dhe për të zgjidhur krizën, theksoi këshilltari diplomatik francez.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi vuri në dukje se Kina shpreson që të arrihet armëpushim e të rikthehet paqja sa më parë dhe ka bërë përpjekje të pandërprera për këtë qëllim. Ai shtoi se Kina beson që të gjitha palët duhet të punojnë për të krijuar mjedisin dhe kushtet e nevojshme për përparimin e bisedimeve të paqes dhe lehtësimin e arritjes së paqes e të zhvillimit të negociatave, në vend që të acarojnë më keq gjendjen.

Kreu i diplomacisë kineze shprepu mendimin që çështja e Ukrainës i ka rrënjët në mosekuilibrimin e sigurisë së Evropës, duke shtuar se duhet të respektohet parimi i sigurisë së pandashme dhe të rikrijohet një kornizë e balancuar, efektive dhe e qëndrueshme e sigurisë evropiane. Vetëm duke vepruar kështu Evropa mund të arrijë vërtet paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, vuri në dukje ai.

Të dyja palët thanë se ishin thellësisht të shqetësuara për efektet e përhapjes së krizës së Ukrainës. (Artan/Fani)