Kina dhe Izraeli kanë rënë në një mendje për të përshpejtuar negociatat për një marrëveshje të tregtisë së lirë ndërmjet të dy vendeve pas një telefonate ndërmjet këshilltarit të Shtetit dhe ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi dhe kryeministrit zëvendësues e ministrit të Jashtëm izraelit Yair Lapid të mërkurën.

Gjatë bisedës, Lapid theksoi se Izraeli e Kina janë dy kombe të lashta që kanë krijuar qytetërime të mëdha. Të dy vendet janë të përkushtuara tani për të përshpejtuar procesin e modernizimit dhe kanë kapacitet të fortë inovativ, tha ai, duke shtuar se të dy palët e kuptojnë dhe e vlerësojnë njëra-tjetrën.

Izraeli pret të ruajë shkëmbimet e ngushta të nivelit të lartë dhe të thellojë bashkëpunimin në fusha të ndryshme me Kinën, vuri në dukje Lapid.

Nga ana e tij, kryediplomati i Kinës Wang Yi tha se kombi kinez dhe kombi hebre e kanë ndihmuar njëri-tjetrin në histori, dhe sot duhet ta mbështesin njëri-tjetrin edhe më shumë.

Kina vlerëson ndjekjen nga Izraeli të parimit të "Një Kine" dhe mirëkuptimin e përpjekjeve të ligjshme të Kinës për mbrojtjen e interesave të saj thelbësore, vuri në dukje Wang Yi, duke shtuar se Pekini beson se pala izraelite do të vijojë të mbështesë përpjekjet e Kinës për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë e interesat e zhvillimit të saj.

Të dyja palët shkëmbyen mendime edhe për çështjen palestineze, çështjen e Ukrainës dhe problemin bërthamor iranian. (Artan/Fani)