Një raport i fundit ka vënë në dukje përparimet mbresëlënëse në fuqinë informatike të Kinës, që renditet në pararojë të ekonomive kryesore, duke theksuar se fuqia informatike është bërë forca shtytëse në promovimin e ekonomisë digjitale.

Raporti, i publikuar së bashku nga Universiteti Tsinghua, Korporata Ndërkombëtare e të Dhënave dhe firma kineze e teknologjisë së informacionit "Inspur Information", vlerëson në mënyrë të gjithanshme fuqinë informatike, efikasitetin, zbatimin dhe infrastrukturën e 15 ekonomive kryesore. Sipas raportit, rritja e investimeve në këtë sektor do të ketë një ndikim përforcues dhe të gjatë në rritjen ekonomike.

Në kontekstin e lulëzimit të teknologjive të reja, si informatika cloud, inteligjenca artificiale dhe 5G, analistët besojnë se fuqia informatike është bërë një infrastrukturë e rëndësishme që do të formësojë peizazhin e ardhshëm teknologjik të Kinës.

Sipas një njoftimi të fundit të politikave, Kina ka filluar punën lidhur me një megaprojekt për të ndërtuar një sistem kombëtar të integruar të të dhënave të mëdha, për të përmirësuar fuqinë e përgjithshme informatike dhe efektshmërinë e burimeve.

Duke krijuar një rrjet kombëtar të fuqisë informatike, projekti do të mbështesë rajonet më pak të zhvilluara me burime të pasura të energjisë së përtëritshme, për të ruajtur dhe përpunuar të dhënat e transmetuara nga zonat ekonomikisht të përparuara, për të trajtuar kërkesën në rritje dhe çekuilibrin e kapaciteteve rajonale.

Statistikat kanë treguar se vëllimi i tregut të informatikës cloud të Kinës, i cili lejon të hidhet një vështrim i shkurtër mbi fuqinë e përgjithshme informatike të vendit, vjet i kaloi 300 miliardë juanët (47.24 miliardë dollarët amerikanë), sipas Akademisë Kineze të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikacionit.

He Baohong, një studiues në këtë akademi, vëren se në vitet e ardhshme tregu i informatikës cloud i Kinës pritet të ruajë një normë mesatare vjetore rritjeje prej 30 deri në 40 për qind, ndërsa përmasa e këtij tregu do të arrijë 1 trilion juanë (0.16 trilion dollarë) brenda vitit 2025. (Artan/Fani)