Konflikti ushtarak mes Rusisë e Ukrainës ka zgjatur për mbi një muaj, duke shkaktuar vdekjen e plagosjen e shumë ushtarëve e civilëve prej të dy vendeve, teksa disa miliona ukrainas janë shndërruar në refugjatë. Kur bashkësia ndërkombëtare është e zënë me pajtimin e palëve në konflikt, ShBA-ja vazhdon t'i japë Ukrainës ndihmë ushtarake, duke e acaruar krizën. Veprimi i palës amerikane ka lidhje me vetë natyrën e ShBA-së, ku mbizotëron kompleksi ushtarako-industrial. Kjo do të thotë që në ShBA ushtria, industria dhe qeveria bashkëpunojnë ngushtë për të përfituar nga luftërat nëpërmjet provokimit të konflikteve ushtarake në vende të tjera. Konflikti ruso-ukrainas është pikërisht një mundësi e re për këtë kompleks.

Që nga viti 2008, buxheti i mbrojtjes kombëtare i ShBA-së vijon të shtohet. Madje sot shpenzimet ushtarake të ShBA-së e kalojnë vëllimin e përgjithshëm të shpenzimeve ushtarake të shteteve që radhiten nga vendi i dytë deri në të 10-tin në botë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, "pesë gjigantët" e industrisë ushtarake amerikane - "Lockheed Martin", "Raytheon", "Northrop Grumman", "Boeing" dhe "General Dynamics" - u pasuruan shumë nga lufta, duke marrë dy të tretat e kontratave të ndryshme të qeverisë amerikane. Që nga ajo kohë, interesat e kompanive të industrisë ushtarake amerikane janë ndërthurur me ato të qeverisë. Gjatë Luftës së Ftohtë, ushtria, industria ushtarake, qeveria dhe universitetet amerikane bashkëpunuan ngushtë, duke krijuar një bashkësi të madhe.

Pas Luftës së Ftohtë, me pretekstin e "demokracisë" e të "lirisë", ShBA-ja filloi luftëra në Afganistan, Irak, Siri etj., duke nxjerrë përfitime të mëdha. Sipas të dhënave të Institutit të Politikave të Sigurisë të ShBA-së, "pesë gjigantët" e industrisë ushtarake morën mbi dy trilionë dollarë të ardhura nga Lufta e Afganistanit. Në një njoftim thuhet: "Ndër çdo 14 dollarë të shpenzuar nga Pentagoni, kompania 'Lockheed Martin' fiton një dollar."

Analistët janë të mendimit se kriza e Ukrainës do të jetë në favor të ekonomisë dhe shumëkombësheve amerikane. Tani investimet e kompanive të vendeve europiane, si ato gjermane, franceze etj., në Rusi janë shumë më të mëdha se investimet amerikane. Në të ardhmen, këto kompani europiane do të detyrohen të shkojnë në ShBA për të investuar. Edhe uebsajti "India Today" publikoi një artikull, ku thuhet se gjatë rindërtimit të Ukrainës pas luftës, kompanitë amerikane do të jenë pa diskutim përfitueset kryesore. (Fani/Artan)