Të enjten, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi drejtoi në Tunxi të provincës Anhui mbledhjen e tretë të ministrave të jashtëm të vendeve fqinje të Afganistanit dhe dialogun e parë të ministrave të jashtëm mes vendeve fqinje të Afganistanit dhe qeverisë së përkohshme afgane. Pas mbledhjes, Wang Yi i njohu gazetarët me konsensusin e rezultatet e arritura në mbledhje.

Duke folur për qëndrimin e Kinës mbi problemin e Ukrainës, kreu i diplomacisë kineze u shpreh se Pekini qëndron gjithmonë në anën e paqes, të dialogut dhe të drejtësisë. Sipas tij, pala kineze luan përherë një rol të përgjegjshëm e konstruktiv për të gjitha sfidat.

Wang Yi tha më tej se, pas shpërthimit të krizës së Ukrainës, Kina ka paraqitur pesë parime dhe gjashtë propozime për zbutjen e situatës, në të cilat pasqyrohen kryesisht të ashtuquajturat "pesë këmbëngulje". E para është këmbëngulja në promovimin e bisedimeve paqësore. Kina u bën thirrje të dy palëve, Rusisë e Ukrainës të pushojnë luftën dhe të zhvillojnë dialogun të drejtpërdrejtë, tha Wang. Së dyti, këmbëngulja në mbrojtjen e normave të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kina përkrah respektimin e qëllimeve e parimeve të Kartës së OKB-së dhe të sovranitetit e të tërësisë territoriale të vendeve të ndryshme. E treta është këmbëngulja në parandalimin e mendësisë së Luftës së Ftohtë. Kina kundërshton përballjen mes kampeve të ndryshme dhe promovon respektimin e shqetësimeve të përligjura dhe të arsyeshme të palëve të ndryshme, u shpreh kryediplomati kinez. Së katërti, këmbëngulja në mbrojtjen e interesave të arsyeshme të vendeve të ndryshme. Kina kundërshton sanksionet e njëanshme të pabazuara në ligjin ndërkombëtar dhe bën thirrje për mbrojtjen e zinxhirëve industrialë dhe furnizues globalë për të shmangur dëmtimin e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare mes vendeve të ndryshme dhe të jetesës së popullit. Dhe së fundmi është këmbëngulja në forcimin e paqes e të stabilitetit të Azi-Paqësorit, vuri në dukje ministri i Jashtëm kinez Wang Yi. (Fani/Artan)