Foto nga VCG

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin u shpreh në një konferencë për shtypin të mërkurën se Kina i përkrah dhe i nxit të gjitha përpjekjet diplomatike në favor të zgjidhjes paqësore të krizës së Ukrainës dhe mirëpret bisedimet ndërmjet Rusisë e Ukrainës.

Të martën, Moska dhe Kievi zhvilluan raundin e 5-të të bisedimeve në Stamboll të Turqisë. Pala ruse u shpreh se ky raund bisedimesh është domethënës. Ukraina propozoi që të ketë statusin e një vendi të paangazhuar dhe pa armë bërthamore, në formën e asnjanësisë së përhershme. Lidhur me këtë, Wang Wenbin-i tha se Kina i ka vënë re sinjalet pozitive të lëshuara në bisedimet ruso-ukrainase dhe është gjithmonë e mendimit se dialogu dhe bisedimet janë e vetmja mënyrë e duhur për zgjidhjen e krizës.

"Ne u bëjmë thirrje të dy palëve, Rusisë e Ukrainës, t'u përmbahen bisedimeve për të arritur konsensus për zgjidhjen politike, duke rivendosur paqen sa më parë. Në kushtet e tanishme, bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë në favor të dialogut e të bisedimeve, duke parandaluar vendosjen e pengesave për zgjidhjen e krizës," tha Wang Wenbin-i. (Fani/Artan)