Foto nga VCG

Të mërkurën e të enjten, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi do të drejtojë në qytetin Tunxi të provincës Anhui të Kinës mbledhjen e tretë të ministrave të jashtëm të vendeve fqinje të Afganistanit për të diskutuar mbi realizimin e stabilitetit në këtë vend dhe dhënien e ndihmës popullit afgan. Gjatë turneut të sapopërfunduar të ministrit Wang Yi në Azi, Afganistani ishte një ndalesë e rëndësishme. Kjo ishte vizita e parë e një zyrtari të lartë kinez në këtë vend pas themelimit të qeverisë së përkohshme afgane.

Gjendja në Afganistan lidhet me sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale e botërore. Pas tërheqjes në gusht të vitit të kaluar të trupave amerikane, në Afganistan përfundoi lufta që kishte zgjatur për 20 vjet. Sipas statistikave të OKB-së, mbi gjysma e afganëve përballen me krizë të rëndë të sigurisë ushqimore dhe disa miliona afganë kanë mbetur të pastrehë.

Kina ka luajtur rolin e duhur për rindërtimin e Afganistanit. Deri tani ajo i ka dhënë Afganistanit një ndihmë me vlerë prej mbi 50 milionë dollarësh, duke përfshirë ushqime, ilaçe, materiale të mbrojtjes nga i ftohti etj. Njëkohësisht, Kina ka importuar stika pishe nga Afganistani, duke i sjellë qeverisë së përkohshme afgane mbi 22 milionë dollarë të ardhura.

Si vend fqinj i Afganistanit, Kina është e mendimit se afganët duhet ta kenë vetë në dorë fatin e tyre dhe asnjë forcë e huaj nuk duhet të kërkojë përfitime vetjake nga çështja afgane. Mbledhja e tretë e ministrave të jashtëm të vendeve fqinje të Afganistanit do të konfirmojë përsëri se Kina është mike e vërtetë e Afganisanit dhe është përherë një faktor pozitiv për mbrojtjen e paqes botërore. (Fani/Artan)