Sipas njoftimeve të Grupit Mediatik të Kinës (CMG), të dielën u gjet kutia e dytë e zezë e aeroplanit të rrëzuar të fluturimit MU5735 të kompanisë ajrore “China Eastern Airlines”.

Aeroplani, që po fluturonte nga qyteti Kunming për në Guangzhou, u rrëzua të hënën pasdite në Rajonin Autonom Guangxi-Zhuang të Kinës Jugore. Të 132 njerëzit në bord, duke përfshirë 9 anëtarë të ekuipazhit, humbën jetën.

Njoftimi u bë pas gjashtë ditë kërkimi të hollësishëm rreth vendit të rrëzimit dhe kontrollimit të kamerave të vëzhgimit, radarëve dhe pajisjeve të tjera. Deri më tani, janë konfirmuar identitetet e 120 viktimave nëpërmjet analizës së ADN-së.

Kutia e parë e zezë u gjet të mërkurën dhe puna për nxjerrjen e të dhënave prej saj është ende duke u zhvilluar. Një zyrtar i Administratës së Aviacionit Civil të Kinës (CAAC) tha të premten se është ende herët për të thënë se kur mund të nxirren të dhënat zanore. Një ekspert fluturimi u shpreh se për deshifrimin e të dhënave do të nevojiten 10 deri në 15 ditë shtesë dhe analiza e tyre do të marrë edhe më shumë kohë.

Një raport hetimor paraprak do t'i dorëzohet Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil brenda 30 ditëve, tha të premten kreu i qendrës së hetimit të aksidenteve të aviacionit të CAAC-it Mao Yanfeng. (Fani/Artan)