Konferenca e shtypit e organizuar nga Komiteti Organizator i Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit më 1 shkurt/ Xinhua

Konferenca e shtypit e organizuar nga Komiteti Organizator i Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit më 1 shkurt/ Xinhua

Organizatorët e Olimpiadës Dimërore të Pekinit thanë se kanë përfunduar të gjitha punët përgatitore për Lojërat që do të hapen më 4 shkurt.

Komiteti Organizator i Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit (BOCOG) zhvilloi të martën një konferencë shtypi me temën "Olimpiada dimërore, sportet dhe kultura", në Qendrën Kryesore të Medias të "Pekin 2022", duke premtuar edhe një herë se Kina do të zhvillojë një olimpiadë "të thjeshtë, të sigurt dhe të mrekullueshme".

Zhao Weidong, zëdhënësi i BOCOG-ut, tha se punët përgatitore kanë përfunduar, përfshirë ndërtimin e objekteve sportive dhe testimin e tyre, stërvitjen e sportistëve në terren, pajisjet që ofrojnë lehtësi për njerëzit me aftësi të kufizuara në të tre zonat e konkurrimit, si edhe shërbimet e hotelerisë e të mjekimit.

Ndërkohë, 5G, robotët, automjetet me hidrogjen dhe teknologjitë e tjera të përparuara janë gati për krijimin e lehtësive për personelin olimpik gjatë Lojërave.

Zëdhënësi shtjelloi domethënien e objekteve sportive nga aspektet kulturore dhe dekorative, përfshirë fenerët tradicionalë kinezë, letërprerjen dhe hieroglifin "Fu", që simbolizon fatmirësinë. Elementet kulturore kineze shfaqen edhe në kuzhinë, si jiaozi-të dhe rosa e pjekur e Pekinit.

Ndërkohë, protokollet mbi COVID-19 janë zbatuar në mënyrë efektive brenda “qarkut të mbyllur”, sipas dr. Huang Chun, zv.drejtori i përgjithshëm i zyrës së parandalimit e të kontrollit pranë BOCOG-ut. Megjithëse në qarkun e mbyllur janë zbuluar raste infektimi nga virusi i COVID-19, ato shihen si të arsyeshme me mbërritjen e një numri gjithnjë e më të madh të personelit olimpik. Deri tani në qarkun e mbyllur nuk ka pasur vatra infektimi. (Wang Lei/ Artan)