Foto: VCG

Foto: VCG

Nga 4 deri më 7 janar, ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi bëri një vizitë në tre vende afrikane: Eritrea, Kenia dhe ishujt Komoros. Është një traditë 32-vjeçare e diplomacisë kineze që ministri i jashtëm çdo vit e bën vizitën e parë në vendet afrikane. Edhe pse po përballon sfidën epidemike, edhe sivjet Kina e vazhdoi këtë traditë, çka tregon themelet e miqësisë mes Kinës dhe Afrikës.

Tani numri i rasteve të konfirmuara të COVID-19 në Afrikë i ka kaluar 10 milionët dhe shkalla e vaksinimit të plotë është më pak se 10%. Rritja e vaksinimit është një përparësi kryesore për Afrikën. Në një kohë kur disa vende perëndimore po ndjekin "nacionalizmin e vaksinave", Kina i ofron Afrikës ndihmë brenda mundësive të saj. Më shumë se një muaj më parë, Kina njoftoi se do të ofrojë 1 miliard vaksina të tjera për Afrikën. Tani disa vende afrikane kanë marrë vaksinat kineze.

Për nxitjen e bashkëpunimit konkret, vizita e Kinës në Afrikë ka pasur plot arritje. Për shembull, Kina dhe Kenia kanë nënshkruar dokumente bashkëpunimi mbi ekonominë digjitale, investimet dhe bujqësinë. Kina mbështet Kenian në ndërtimin e brezit ekonomik dhe parqeve industriale përgjatë hekurudhës dhe mirëpret Kenian që të shfrytëzojë plotësisht "kanalin e gjelbër" për eksportin e produkteve bujqësore afrikane, me synim që të eksportohen më shumë produkte me cilësi të lartë në tregun kinez. Krahas kësaj, Eritrea dhe Kina i kanë ngritur marrëdhëniet dypalëshe në nivelin e partneritetit strategjik. Eritrea ka hartuar një program për bashkëpunimin me Kinën dhe pret të mësojë nga përvoja e zhvillimit të Kinës, duke thelluar bashkëpunimin në infrastrukturë, burimet minerare, bujqësi, burimet njerëzore etj.

Lidhur me “kurthin e borxheve” të fabrikuar nga vendet perëndimore, presidenti i Eritreas Isaias Afwerki theksoi që Kina kurrë nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe është partnere e vërtetë për zhvillimin e Afrikës. Ai shpreson që Kina të luajë një rol më të madh për paqen dhe zhvillimin e Afrikës. Sipas raportit të publikuar nga instituti i sondazheve “Afrobarometer”, 63% e të pyeturve mendojnë që Kina ka ndikim “të madh” ose “pozitiv” mbi politikën e ekonominë e vendeve të tyre dhe 66% e të pyeturve mendojnë që Kina ka ndikime pozitive në politikën dhe ekonominë e Afrikës.

Gjatë vizitës, Kina shpalli që do të emërohet i dërguari i posaçëm i MPJ-së kineze për çështjet në Bririn e Afrikës. Vitet e fundit, në gadishullin e Bririt të Afrikës kanë ndodhur shumë konflikte. Disa fuqi të mëdha kanë zhvilluar konkurrencë gjeopolitike, duke dëmtuar rëndë paqen dhe stabilitetin në këtë zonë. Koncepti i paraqitur nga Kina për paqen dhe zhvillimin e Bririt të Afrikës është mirëpritur e mbështetur nga vendet përkatëse. Analistët mendojnë që kjo do të thotë që Kina do të luajë rol më të madh në paqen dhe sigurinë e Afrikës.(Jiang Lei)