Kina është e gatshme të punojë me Bjellorusinë për ta marrë 30-vjetorin e lidhjeve diplomatike midis dy vendeve si një pikënisje të re për të rritur besimin e ndërsjellë politik, për të thelluar bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë dhe për të nxitur arritjen e rezultateve të reja në partneritetin e gjithanshëm strategjik Kinë-Bjellorusi, tha të hënën presidenti kinez Xi Jinping.

Në një bisedë telefonike me presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko, kreu i shtetit i Kinës vuri në dukje gjithashtu se marrëdhëniet kino-bjelloruse kanë arritur rezultate të frytshme në 30 vjetët e fundit.

Të dyja palët duhet të zgjerojnë vëllimin e tregtisë dhe investimeve, të rrisin bashkëpunimin në fusha të ndryshme, si zhvillimi i gjelbër dhe ekonomia digjitale, dhe të sigurojnë zhvillimin e qëndrueshëm të hekurudhës Kinë-Evropë, theksoi presidenti Xi, duke shtuar se duhet të forcohet bashkëpunimi në studimin dhe prodhimin e vaksinave kundër COVID-19.

Duke pasur parasysh situatën komplekse dhe në zhvillim ndërkombëtare dhe rajonale, Xi theksoi se Kina dhe Bjellorusia kanë bashkëpunuar efektivisht në veprimtari shumëpalëshe dhe kanë mbështetur fuqishëm njëra-tjetrën për çështjet që kanë të bëjnë me interesat thelbësore të të dy vendeve, gjë që pasqyron vlerën strategjike të bashkëpunimit.

Kina kundërshton ndërhyrjen e forcave të huaja në punët e brendshme të Bjellorusisë dhe mbështet Bjellorusinë në ndjekjen e një rruge zhvillimi që u përshtatet kushteve të veta kombëtare, shtoi Xi.

Nga ana e tij Lukashenko falënderoi Kinën për mbështetjen politike dhe morale ndaj Bjellorusisë.

"Bjellorusia shpreson të mbajë kontakte dhe koordinim të ngushtë me Kinën. Bjellorusia do të jetë gjithmonë mike dhe partnere e ngushtë e Kinës," shtoi Lukashenko.(Artan/Fani)