Buqetat për ceremonitë e çmimeve të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 do të jenë të ndryshme nga olimpiadat e mëparshme, pasi janë prej leshi.

Sipas komitetit organizator të “Pekin 2022”, buqetat prej leshi do të kenë karakteristikën e lëshimit të ulët të karbonit, gjë që pasqyron konceptin e një "olimpike të gjelbër".

Buqeta olimpike përbëhet nga shtatë lule të ndryshme prej leshi duke përfshirë trëndafila, zambakë e ullinj të gjelbër.

Li Meili, një trashëgimtare e mjeshtërisë tradicionale të thurjes së leshit të Shangait, ende mund të kujtojë momentin emocionues në tetor 2021, kur mësoi se buqeta e leshit ishte zgjedhur përfundimisht për ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Lojërave Olimpike.

Li filloi të mësonte mjeshtërisë e thurjes kur ishte në të pesëdhjetat, pasi doli në pension. Lulet e leshit të thurura prej saj u përdorën në Ekspozitën e 4-t Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE) dhe në Ekspozitën e 10-të të Luleve të Kinës, duke u mirëpritur nga vizitorët.

Gjithsej 1251 buqeta nevojiten për ceremonitë e ndarjes së çmimeve të Lojërave Olimpike dhe Paralimpike Dimërore të Pekinit. Çdo lule është punuar me dorë, gjë që kërkon shumë kohë dhe fuqi punëtore.

"Duhen 20 minuta për të endur një petal trëndafili. Një trëndafil përbëhet nga dhjetë petale, tre gjethe dhe një kërcell. Një endëse duhet të shpenzojë të paktën pesë orë për një trëndafil," shprehet Li. "Prandaj, për krijimin e një buqete duhen 35 orë. Thurja e të gjitha buqetave kërkon rreth 50 000 orë." (Artan)