Foto nga VCG

Në qytetin Nankin të provincës Jiangsu në Kinën Lindore u organizua të hënën një ceremoni përkujtimore në nderim të 300 mijë viktimave të Masakrës së Nankinit.

Në vitin 2014, organi më i lartë ligjvënës i Kinës e përcaktoi 13 dhjetorin si ditë përkujtimore kombëtare për viktimat e Masakrës së Nankinit, e cila ndodhi pas pushtimit të qytetit Nankin nga trupat japoneze më 13 dhjetor të vitit 1937.

Gjatë masakrës 6-javore, pushtuesit japonezë vranë brutalisht rreth 300 mijë civilë dhe ushtarë kinezë të paarmatosur, duke e bërë këtë një nga episodet më barbare të Luftës së Dytë Botërore.

Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë familjarë të viktimave e të të mbijetuarve, zyrtarë qeveritarë dhe nxënës e studentë. Flamuri kombëtar u ul në gjysmështizë në shesh dhe qytetarët e Nankinit mbajtën një minutë heshtje.

Zv.kryeministrja kineze Sun Chunlan u shpreh në ceremoni: "Ne duhet të mësojmë nga historia dhe të krijojmë mundësi të reja në të ardhmen. Kjo është mënyra e shfaqjes së premtimit tonë për zhvillimin paqësor."

Kina ka bërë përpjekje për të ruajtur dëshmitë e të mbijetuarve duke i regjistruar në dokumente të shkruara e në video.

Në shtator, një kontingjent materialesh historike iu dhuruan Sallës Përkujtimore të Viktimave të Masakrës së Nankinit nga Pushtuesit Japonezë si dëshmi të reja të krimeve të luftës. (Fani/Artan)