Foto nga VCG

Presidenti kinez Xi Jinping i dërgoi urime një mbledhjeje të mbajtur nga Kombet e Bashkuara të hënën për Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit me Popullin Palestinez.

Në mesazhin e tij, Xi tha se problemi palestinez është thelbi i çështjes së Lindjes së Mesme.

Një zgjidhje e gjithanshme, e drejtë dhe e qëndrueshme e çështjes palestineze, bashkëjetesa paqësore midis Palestinës e Izraelit dhe zhvillimi i përbashkët i kombit arab dhe kombit hebre janë në përputhje me interesat e përbashkët të Palestinës e Izraelit, qëllimin afatgjatë të stabilitetit rajonal dhe aspiratat e përbashkëta të të gjitha vendeve dhe kombeve paqedashëse dhe mbështetëse të drejtësisë, tha Xi.

Zgjidhja e çështjes palestineze duhet t'u përmbahet parimeve dhe drejtimit të duhur, vuri në dukje ai, duke shtuar se bashkësia ndërkombëtare duhet të mbështesë objektivitetin dhe drejtësinë, të ruajë tolerancën dhe mirëkuptimin e ndërsjellë dhe ta marrë 30-vjetorin e Konferencës së Paqes të Madridit si një mundësi për të dhënë më shumë mbështetje për rifillimin e dialogut të barabartë midis Palestinës e Izraelit mbi bazën e “zgjidhjes së dy shteteve”.

Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare duhet të vazhdojë të ndihmojë popullin palestinez të luftojë kundër pandemisë së COVID-19 dhe të përmirësojë në mënyrë efektive ekonominë, mirëqenien dhe situatën humanitare në Palestinë, shtoi Xi. (Artan/Fani)