Zhong Nanshan shkëmbeu me gazetarë në Konferencën mbi sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes në Guanzhou/ CMG

Zhong Nanshan shkëmbeu me gazetarë në Konferencën mbi sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes në Guanzhou/ CMG

Duhet ende një periudhë për të zbuluar sa i dëmshëm është varianti i fundit i COVID-19 “Omicron” dhe është shumë herët për të arritur në një përfundim mbi të, tha të dielën Zhong Nanshan, kryeepidemiologu i Kinës.

Varianti, i zbuluar së pari në Afrikën e Jugut në fillim të javës së kaluar, është shumë i ri, u tha gazetarëve Zhong, në një konferencë mbi sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes të zhvilluar në qytetin Guangzhou të Kinës Jugore.

Sipas testimit gjenetik molekular, varianti i ri ka shumë mutacione në domenin e lidhjes së receptorëve, nga i cili zakonisht virusi hyn në qelizat njerëzore. Megjithatë, duhet ende kohë për të ditur se sa shpejt përhapet ai, nëse do të shkaktojë më shumë sëmundje dhe nëse ka nevojë për vaksina të reja për ta përballuar atë, tha Zhong.

Ai shtoi se duhet të tregohet vëmendje e madhe për këtë variant të ri, por nuk do të bëhen lëvizje të mëdha tani për tani.

Zhong vuri në dukje gjithashtu që duhen marrë masa parandaluese dhe kontrolluese kundrejt udhëtarëve nga Afrika e Jugut dhe rajonet përkatëse.

Autoritetet globale kanë lëshuar alarmin kundrejt variantit të ri të virusit të COVID-19. BE-ja, Britania, India dhe Izraeli shpallën masat më të rrepta kontrolli në kufi. (Wang Lei/ Artan)