Kina është e gatshme të punojë me të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) për të rritur besimin e ndërsjellë politik, për të thelluar bashkëpunimin praktik dhe për të nxitur lulëzimin dhe qëndrueshmërinë në rajon, u shpreh të enjten kryeministri kinez Li Keqiang.

Li i tha këto duke folur në mbledhjen e 20-të të Këshillit të Kryetarëve të Qeverive të Shteteve Anëtare të OBSh-së nëpërmjet lidhjes me video nga Pekini.

Numri një i qeverisë kineze vuri në dukje se gjatë 20 vjetëve të fundit që nga themelimi i saj, OBSh-ja ka ndjekur dhe çuar përpara Frymën e Shangait dhe ka promovuar në mënyrë efektive sigurinë e stabilitetin në rajon e zhvillimin e përbashkët të vendeve anëtare të saj.

Ai u bëri thirrje vendeve anëtare që të krijojnë një mburojë të fortë sigurie dhe të ruajnë qëndrueshmërinë dhe sigurinë në rajon.

Sipas tij, vendet anëtare duhet të bashkohen në luftën kundër pandemisë dhe të përmirësojnë qeverisjen e shëndetit publik.

Li bëri thirrje për të qenë të hapur ndaj përfitimeve të ndërsjella dhe për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike në të gjitha vendet e OBSh-së, duke u kërkuar këtyre vendeve të punojnë për një hapje më të madhe, të vazhdojnë të përmirësojnë mjedisin e tregtisë e të investimeve dhe të rrisin vëllimin dhe cilësinë e tregtisë. (Artan/Fani)