Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u shpreh të mërkurën se Kina i kupton kërkesat e arsyeshme të Iranit për çështjen bërthamore dhe e përkrah Iranin në mbrojtjen e të drejtave e interesave të veta të ligjshme.

Wang Yi i tha këto gjatë një videotakimi me homologun e tij iranian Hossein Amir Abdollahian disa ditë para rifillimit në Vjenë të bisedimeve për marrëveshjen bërthamore iraniane të vitit 2015, që njihet zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA).

Sipas JCPOA-së të arritur midis Iranit dhe Kinës, Rusisë, ShBA-së, Britanisë, Francës e Gjermanisë, Teherani do të kufizojë planin e tij të pasurimit të uraniumit në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike nga SHBA-ja, OKB-ja e BE-ja.

Në maj të vitit 2018, administrata e atëhershme amerikane e Donald Trump-it u tërhoq nga marrëveshja dhe rivendosi në mënyrë të njëanshme sanksione mbi Iranin. Si përgjigje, Irani ndaloi gradualisht zbatimin e një pjese të premtimeve të bëra në kuadër të marrëveshjes që nga maji i vitit 2019.

Që nga prilli janë zhvilluar 6 raunde bisedimesh për të përcaktuar hapat që Irani dhe ShBA-ja duhet të ndërmarrin përkatësisht lidhur me aktivitetet bërthamore dhe sanksionet, me qëllim që të rivendoset JCPOA. Bisedimet rifilluan të hënën, hera e parë që kur Ebrahim Raisi u zgjodh president i Iranit më 5 gusht. Irani i ka kërkuar ShBA-së të heqë të gjitha sanksionet në një proces të verifikueshëm dhe të japë garanci se Uashingtoni nuk do ta braktisë sërish marrëveshjen nëse bisedimet e rifillimit të zbatimit të marrëveshjes do të kenë sukses.

Wang Yi u bëri thirrje palëve përkatëse të bëjnë së bashku përpjekje për të arritur një marrëveshje në bisedimet e Vjenës. (Fani/Artan)