Foto nga VCG

Të mërkurën, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Zhao Lijian u shpreh në një konferencë shtypi se Kina do të nxjerrë në treg rezervën kombëtare të naftës së papërpunuar sipas kërkesës aktuale dhe do të marrë masa të tjera të nevojshme në mbrojtjen e qëndrueshmërisë së tregut. Kina shpreson të forcojë shkëmbimet e bashkëpunimin me palët e ndryshme përkatëse për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm afatgjatë të tregut të naftës.

Pak kohë më parë, Shtëpia e Bardhë u shpreh se ShBA-ja dhe 4 vende të tjera, duke përfshirë Kinën, do ta përdorin rezervën e vet kombëtare strategjike të naftës për të ulur çmimin e benzinës. Sipas njoftimeve, Kina po punon për nxjerrjen e rezervës së naftës së papërpunuar. Lidhur me këtë, Zhao Lijian tha:

"Si një nga vendet kryesore të prodhimit dhe të konsumit të naftës në botë, Kina i kushton gjithmonë rëndësi qëndrueshmërisë së tregut ndërkombëtar të naftës dhe dëshiron të ruajë kontaktet e bashkëpunimin me palët e ndryshme përkatëse për të mbrojtur qëndrueshmërinë e tregut. Kina ka vënë re se kohët e fundit, vendet kryesore konsumuese të naftës kanë filluar nxjerrjen e rezervës për të përballuar luhatjet e tregut. Kina po mban kontakte të ngushta me palët përkatëse, duke përfshirë vendet konsumuese e prodhuese të naftës për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm të tregut të naftës." (Fani/Artan)