Gjatë inspektimit të punës në Shangai të hënën e të martën, kryeministri kinez Li Keqiang bëri thirrje për përsosjen e mjedisit tregtar dhe për sigurimin e furnizimit me energji elektrike.

Marrëveshja tregtare e Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm. Lidhur me këtë Li Keqiang theksoi se Kina “do t’i hapë më shumë dyert ndaj botës".

Gjatë vizitës në Zonën Pilot të Tregtisë së Lirë të Kinës (Shangai), kryeministri Li pohoi risitë institucionale të zonës në investime, tregti dhe financa dhe e inkurajoi të vazhdojë eksperimentimin për të fituar përvoja të reja.

Në një park industrial të kompanive të prodhimit inteligjent, Li Keqiang u njoh me gjendjen e zhvillimit të pajisjeve të zgjuara të nivelit të lartë dhe shkëmbeu mendime me drejtues të kompanive të huaja.

“Kina do t’i hapë më shumë dyert ndaj botës dhe do të mbrojë rreptësisht të drejtat e pronësisë intelektuale, me qëllim që më shumë kompani të huaja të kenë besim për të investuar dhe për të bërë biznes në Kinë,” tha Li Keqiang.

Ai u shpreh se kompanitë kineze duhet të përdorin mirë mundësitë e sjella nga liberalizimi dhe lehtësimi i tregtisë dhe i investimeve që ofrohen nga RCEP, për të zgjeruar bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë.

Më 15 nëntor 2020, u nënshkrua RCEP me 15 anëtarë, e cila është marrëveshja më e madhe e tregtisë së lirë në botë, që mbulon rreth 30% të popullsisë së botës. Vëllimi i saj ekonomik dhe tregtar zë gjithashtu 30% të totalit botëror.

Gjatë vizitës në një kompani të prodhimit të energjisë elektrike në Shangai, Li Keqiang tha se duhet të bëhen përpjekje për të siguruar furnizimin me energji elektrike për jetesën e banorëve dhe prodhimin. Ai bëri thirrje gjithashtu për promovimin e përdorimit të pastër dhe efikas të qymyrit. (Fani/Artan)