Raketa kineze "Marshimi i Madh-2F Y12", që mbart anijen kozmike "Shenzhou-12" për misionin hapësinor me astronautë, u transferua të mërkurën në platformën e Qendrës së Lëshimit të Satelitëve të Jiuquan-it në Kinën Veriperëndimore, sipas Zyrës së Inxhinierisë së Fluturimeve Hapësinore me Astronautë të Kinës (CMSEO).

Tre astronautë do të hipin në anijen kozmike "Shenzhou-12" këtë muaj dhe do të fluturojnë për në "Tianhe", moduli kryesor i stacionit hapësinor të Kinës.

Instalimet dhe pajisjet në vendin e nisjes janë në gjendje të mirë, ndërsa kontrolle të ndryshme funksionimi dhe prova të përbashkëta para nisjes do të kryhen siç është planifikuar, deklaroi CMSEO-ja.

Astronautët do të qëndrojnë në hapësirë për tre muaj, kohë gjatë së cilës ata do të kryejnë një sërë detyrash, të tilla si riparimi dhe mirëmbajtja, bëri të ditur drejtori i CMSEO-së Yang Liwei.

Nisja e anijes kozmike me ekuipazh "Shenzhou-12" do të jetë e treta ndër 11 misionet e planifikuara nga Kina për të përfunduar ndërtimin e stacionit të saj hapësinor deri në fund të vitit 2022. 11 misionet përfshijnë tre lëshime të modulit kryesor dhe të dy kapsulave laboratorike të stacionit hapësinor, katër fluturime të anijeve kozmike të mallrave dhe katër misione me astronautë.

Deri më tani, dy misionet e para kanë përfunduar. Moduli kryesor "Tianhe" u dërgua në orbitë më 29 prill dhe anija kozmike "Tianzhou-2" u lëshua më 29 maj, duke u lidhur me "Tianhe" rreth tetë orë pas ngritjes. (Vera/Artan)