"Deri tani, vendet e botës me të ardhura të larta kanë përdorur gati 44% të vaksinave kundër COVID-19 në nivel global. Ndërkohë, vendet me të ardhura të ulëta vetëm 0.4%", tha drejtori i përgjithshëm i OBSh-së Tedros Adhanom Gebreyesus në një konferencë shtypi të organizuar të hënën. Sipas tij, OBSh-ja po pret që disa vende që janë zotuar të shpërndajnë vaksinat e tyre të mbajnë fjalën në qershor dhe korrik.

"Që prej shpërthimit të epidemisë, disa vende perëndimore zbatuan "nacionalizmin e vaksinës", duke dhënë premtime boshe. Si për shembull, qeveria amerikane deklaroi se para fundit të qershorit, do të transportojë 80 milionë doza vaksinash jashtë kufirit. Por deri tani, asnjë vend i botës nuk pa ndonjë veprim konkret (të ShBA-së). Siç bënë autoritetet e mëparshme që premtuan një fond ndihme 100 milionë dollarë amerikanë për vendet në zhvillim në betejën anti-epidemike, por në fund nuk dhanë asnjë qindarkë", shkruhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës.

Në fakt, në fazën fillestare të vaksinimit masiv, ShBA-ja me fuqi në studim dhe blerje të vaksinave, rezervoi shumë vaksina që tejkalojnë kërkesën e vendit. Ndërsa, krahas shtimit të popullaritetit të vaksinave kineze, politikanët amerikanë nxorrën me vonesë një plan ndihme. Për qëllimin e këtij plani, senatori amerikan Ben Sasse shkroi në një artikull të "Wall Street Journal" të botuar kohët e fundit se ShBA-ja duhet të kishte zbatuar më herët "diplomacinë e vaksinave" kundër Kinës.

"Nga kjo, mund të kuptojmë më mirë objektivin 'jo të pastër' të ndihmës së ShBA-së. Në fakt, komuniteti ndërkombëtar është plotësisht i vetëdijshëm se në krahasim me manipulimin politik të çështjes së vaksinave në ShBA, kontributet e Kinës ndaj luftës anti-epidemike janë reale", thuhet në koment.

Ditët e fundit, një qytet i vogël brazilian Serrana tërhoqi vëmendjen e opinionit publik. Ndër banorët vendorë që kanë bërë vaksina të kompanisë kineze "SinoVac", numri i viktimave të reja nga koronavirusi i tipit të ri ra 95%, numri i të prekurve që kërkojnë trajtim spitalor u ul 86% dhe rastet me simptoma u pakësuan 80%. Siç tha kryebashkiaku i qytetit Leonardo Capitelli, "ekonomia jonë po rritet, shumë kompani dëshirojnë të investojnë këtu dhe jeta jonë po i rikthehet normalitetit, me përmirësim dita-ditës".

Deri tani, Kina u ka dhënë mbi 80 vendeve në zhvillim vaksina ndihme, ka eksportuar vaksina në mbi 40 vende, duke ofruar mbi 350 milionë doza vaksina ndaj botës.

"A mund pala amerikane të ndërmarrë veprime konkrete si Kina? Para nisjes së vizitës në Europë, presidenti amerikan Joe Biden rideklaroi përsëri 'udhëheqjen e ShBA-së' në një artikull të botuar në ‘Washington Post’, duke thënë se detyrat parësore e vendit të tij janë 'përfundimi i kësaj pandemie, forcimi i sigurisë shëndetësore të vendeve të ndryshme dhe nxitja e rimëkëmbjes së ekonomisë botërore'. Nëse ky është premtim me domethënie, le të nisë Uashingtoni nga shpërndarja e barabartë e vaksinave", përfundon komenti i CMG-së.

(Zhang Yan/Albana)(Foto:VCG)