Vaksinat e Sinopharmit(Foto:VCG)

Vaksinat e Sinopharmit(Foto:VCG)

Dy vaksina kineze kundër COVID-19 të kompanisë "Sinopharm" kanë qenë mbi 72 % të efektshme në fazën e tretë të provave klinike në shkallë të gjerë, thuhet në një studim të botuar në "Revistën e Shoqatës Mjekësore Amerikane" (JAMA) të mërkurën.

Sipas një analize për provat në zhvillim e sipër, dy vaksina me viruse të çaktivizuara të prodhuara nga institutet e produkteve biologjike të "Sinopharm"-it në Wuhan dhe Pekin kanë treguar përkatësisht 72.8 % dhe 78.1 % efektshmëri kundër COVID-19, me raportim të rrallë efektesh anësore serioze.

Provat me zgjedhje të rastit, me "verbëri të dyfishtë"(double blind), dhe të kontrolluara me placebo, janë dizenjuar nga të dy institutet, që i përkasin Grupit Bioteknologjik Kombëtar të Kinës (CNBG) pranë "Sinopharm"-it.

Kjo është analiza e parë në botë për rezultatet e studimeve të fazës së tretë për vaksinat e prodhuara me viruse të çaktivizuara.

Sipas studimit, mbi 40 mijë njerëz në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejn të moshës 18 vjeç e lart të paprekur prej COVID-19, morën pjesë në këto prova. Regjistrimi i pjesëmarrësve filloi nga 16 korriku i vitit të kaluar dhe data përfundimtare e mbledhjes së të dhënave ishte 31 dhjetori.

Shtamet e virusit për prodhimin e vaksinave janë marrë nga dy pacientë të spitalit "Jinyintan" të qytetit Wuhan që ka trajtuar posaçërisht rastet e COVID-19.

Procedurat e vaksinimit përfshijnë dy doza që bëhen në një interval 21-ditor.

14 ditë pas injektimit, në trupin e të gjithë të vaksinuarve u prodhuan antitrupa me dendësi të lartë dhe përqindja e serokonversionit të antitrupave të asnjanësuara i kaloi 99 % në dy grupet eksperimentale, gjë që tregon reagim të fortë imunitar të nxitur nga vaksinat, thuhet në analizë.(Zhang Yan/Artan)